Ikona e muzikës Dolly Parton i ka dhënë fund thashethemeve për shëndetin e saj, pasi anuloi disa evente të planifikuara, duke i shqetësuar fansat në mbarë botën. Në një video të publikuar të mërkurën, këngëtarja 79-vjeçare u drejtua drejtpërdrejt admiruesve të saj për t’i qetësuar.
“Dua të them diçka. Sot është 8 tetor dhe, siç mund ta shihni, jam këtu, duke xhiruar disa reklama… Por para se të filloja, desha të them: e di që kohët e fundit shumë njerëz mendojnë se jam më e sëmurë sesa jam në të vërtetë… a dukem si e sëmurë? Po punoj fort!” – tha Parton me humorin e saj karakteristik.
Ajo shtoi se vlerëson shqetësimin e fansave dhe lutjet e tyre. “Dua t’i qetësoj të gjithë ata që janë vërtet të shqetësuar, gjë që e vlerësoj shumë. Faleminderit për lutjet – jam një person me besim dhe ato më bëjnë gjithmonë mirë. Por dua që ta dini se jam mirë. Po, kam disa probleme shëndetësore, siç e kam përmendur më parë”, sqaroi ajo.
Parton zbuloi se problemet e saj shëndetësore kishin nisur pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Carl Dean.
“Kur burri im Carl ishte shumë i sëmurë – ajo periudhë zgjati gjatë – dhe pas ndarjes së tij nga jeta, nuk u kujdesa për veten siç duhej. Neglizhova shumë gjëra. Kur më në fund shkova tek mjekët, ata më thanë ‘duhet të kujdesemi për këtë, duhet të rregullojmë atë’. Nuk është asgjë serioze, por më duhej të anuloja disa angazhime që të isha më afër shtëpisë, për disa trajtime të vogla. Dua të dini se nuk po vdes,” u shpreh Dolly.
Këngëtarja iu përgjigj edhe disa thashethemeve absurde që kanë qarkulluar në internet, përfshirë një foto të krijuar me inteligjencë artificiale.
“A e keni parë atë foton me mua dhe Reba McEntire, të krijuar nga AI? Oh Zot! Ishte sikur Reba ishte pranë shtratit tim të vdekjes – dhe të dyja dukeshim si për t’u varrosur! Mendova me vete: ‘Nëse vërtet po vdisja, s’besoj se Reba do të ishte ajo në krahun tim në shtratin e vdekjes’”, tha ajo me të qeshur.
Në fund, Dolly shtoi me dashuri: “Ka shumë thashetheme që qarkullojnë, por po jua them vetë – jam mirë. Nuk jam gati të largohem nga kjo botë. Besoj se Zoti nuk e ka mbaruar ende punën me mua, dhe as unë punën time. Ju dua dhe ju falënderoj që kujdeseni për mua. Vazhdoni të luteni, sepse lutjet gjithmonë ndihmojnë”. /Telegrafi/