Një sasi e konsiderueshme mbathjesh sportive për meshkuj është ndaluar dhe asgjësuar nga Dogana e Kosovës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, pasi u konstatua se ishin të falsifikuara dhe cenonin të drejtën e pronësisë intelektuale.
Mallrat, që mbanin shenjat dalluese të disa prej brendeve më të njohura ndërkombëtare, u identifikuan gjatë një kontrolli rutinë në ZBD Aeroport – Cargo, thuhet në komunikatën e Doganës në Facebook.
Pas ekzaminimit të detajuar, u vërtetua se ato ishin kopje dhe për rrjedhojë u shkatërruan në mënyrë të kontrolluar, nën mbikëqyrjen e zyrtarëve doganorë, transmeton Klankosova.tv.
“Ndaj subjektit përgjegjës janë ndërmarrë masat ligjore përkatëse, të parapara me legjislacionin në fuqi, për përfshirje në tregti të ndaluar dhe cenim të pronësisë intelektuale.
Dogana qëndron e vendosur në luftën kundër kontrabandës dhe falsifikimeve, duke siguruar mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe konsumatorëve”.
The post Dogana ndalon dhe asgjëson mbathje sportive të falsifikuara në Aeroportin e Prishtinës appeared first on Klan Kosova.