Dogana e Kosovës ndalon hyrjen e mbi 16 mijë aksesorëve të dyshuar si falsifikime të markës Apple

Dogana e Kosovës ndalon hyrjen e mbi 16 mijë aksesorëve të dyshuar si falsifikime të markës Apple

Dogana e Kosovës ka parandaluar një tentativë për të futur në vend një sasi të madhe aksesorësh të dyshuar si falsifikime të markës tregtare Apple.

Gjatë kontrollit të një ngarkese importi në zyrën doganore në Prishtinë, zyrtarët doganorë zbuluan dhe sekuestruan 16,350 copë aksesorë për celularë, të cilët dyshohet se shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale.


“Ky rezultat është arritur falë analizës së riskut dhe vigjilencës së zyrtarëve doganorë, të cilët kanë parandaluar që këto produkte të dyshuara si pirate të hyjnë në treg dhe të dëmtojnë konsumatorët.Në fillim të shtatorit, me mbështetjen e ekspertëve doganorë amerikanë nga SHBA, për oficerët e Doganës së Kosovës u mbajt një trajnim i specializuar për parandalimin dhe luftimin e produkteve pirate, i cili ka shtuar njohuri të reja dhe ka forcuar motivimin e tyre në këtë drejtim”, bëhet e ditur në njoftimin e Doganës.

Tutje, thuhet se Dogana e Kosovës mbetet e vendosur të luftojë dhe të parandalojë dukuritë negative, të mbrojë shoqërinë dhe të sigurojë një treg të drejtë për bizneset e ndershme. /Telegrafi/