“Do të preferoja të isha pa klub sesa te Zurich” – mbrojtësi i Kosovës flet për largimin pas 21 vitesh nga klubi

“Do të preferoja të isha pa klub sesa te Zurich” - mbrojtësi i Kosovës flet për largimin pas 21 vitesh nga klubi

Pas 21 vitesh në klubin ku u rrit, Mirlind Kryeziu u largua këtë verë nga FC Zurich, ndërsa së fundmi ai ka zbuluar detaje se si erdhi deri në këtë pikë.

Në një intervistë për “Blue Sport”, mbrojtësi 28-vjeçar ka folur hapur për periudhën e vështirë që kaloi dhe për arsyet pse sot ndihet më i qetë, edhe pse është pa kontratë.


“Është një ndjesi e re për mua të jem pa klub, por duke marrë parasysh gjashtë muajt e fundit në Zurich, është një lehtësim. Do të preferoja të isha pa klub sesa të vazhdoja atje”, deklaroi Kryeziu.

Mirlind Kryeziu te Zurich

Kryeziu kujton me zhgënjim mënyrën se si u trajtua në muajt e fundit, duke zbuluar se nuk iu lejua të luante.

“Nuk më lejohej të luaja më, vetëm të stërvitesha. Për një futbollist, moslejimi për të luajtur është skenari më i keq. Doja ta ndihmoja ekipin, por nuk më lejohej. Gjashtë muajt e fundit nuk kanë qenë të lehtë”, tregon Kryeziu.

Megjithëse ishte pjesë e FCZ-së që prej fëmijërisë, ai pranon se shpesh i duhej forcë e madhe për të mos u dorëzuar.

“Të zgjohesh çdo mëngjes dhe të dish që je në stërvitje, por nuk ke asnjë rol, është një ndjesi e çuditshme. Kërkon shumë forcë mendore”, deklaroi mbrojtësi i Kosovës.

Për sa i përket negociatave për kontratën e re, mbrojtësi thekson se versionet janë të ndryshme.

Mirlind Kryeziu sa ishte te Zurich

“Më mirë të mos flas shumë për këtë. Secila palë ka perspektivën e vet. Nga ana ime, unë deklaroj qartë se nuk është siç e paraqitën zyrtarët e FCZ-së.”

“Luajta gjysmën e parë të sezonit dhe më pas, vetëm pse kontrata nuk u materializua, mbeta në stol dhe tribuna. Të gjithë e dinë për çfarë bëhet fjalë”, nënvizoi ai.

Sa i përket së ardhmes, ai është i qartë, duke treguar se ka oferta, ndërsa vazhdon të punojë për ta mbajtur formën.

“Dua të nënshkruaj me një klub që më përshtatet plotësisht. Kam disa oferta, por ende nuk e kam gjetur të duhurën. Nuk do të lejoj veten të stresohem. Jam i bindur se diçka do të ndodhë në të ardhmen e afërt”.

Mirlind Kryeziu te Kosova

“Dita ime është e strukturuar njësoj si më parë. Në mëngjes jam në palestër, pasdite në fushë. Kam punësuar edhe një trajner personal dhe po stërvitem çdo ditë”.

“Gjithmonë kam qenë një futbollist që i do shokët e ekipit, por këputja e ligamentit të kryqëzuar më mësoi të punoja vetëm. Edhe sot mund ta shtyj veten pa problem”, përfundoi Kryeziu. /Telegrafi/