“Do të kesh frikë kudo që të shkosh” – Antetokounmpo përballet me kërcënime serioze nga tifozët turq

"Do të kesh frikë kudo që të shkosh" - Antetokounmpo përballet me kërcënime serioze nga tifozët turq

Ekipi i basketbollit të Greqisë fitoi medaljen e parë nën drejtimin e trajnerit Vassilis Spanoulis, ndërsa për Giannis Antetokounmpo kjo ishte medalja e parë në një garë të madhe ndërkombëtare.

Megjithatë, gëzimi i suksesit u eklipsua nga një ngjarje e rëndë, pasi familja e Antetokounmpos u bë shënjestër e kërcënimeve me vdekje nga tifozë turq, pas gjysmëfinales ku Turqia mposhti Greqinë.


Sipas mediave greke, mesazhet që morën Giannis dhe gruaja e tij, Mariah, ishin jashtëzakonisht shqetësuese. Ajo vendosi t’i bëjë publike disa prej tyre në rrjetet sociale.

“Do ta vrasim të gjithë familjen tënde. Do të kesh frikë kudo që të shkosh”, shkruante një nga mesazhet kërcënuese.

Mariah reagoi duke e publikuar mesazhin e kërcënimit

“Meqë më ke kontaktuar privatisht, tani tregoji të gjithë botës se kush je publikisht. Kjo lloj sjelljeje është i papranueshëm. Shpresoj që ata që lënë komente urrejtëse dhe dërgojnë mesazhe të neveritshme familjes sime, të jenë krenarë për veten e tyre”, shkroi ajo.

Pas fitores për medaljen e bronztë, Giannis postoi një video festive në Instagram, por komentet u mbushën me flamuj të Turqisë. Kjo e irritoi basketbollistin, i cili reagoi: “Për hir të Zotit, hiqini mënjanë ato flamuj turq”.

Ky reagim u interpretua nga mediat turke si fyerje ndaj simbolit kombëtar, duke shkaktuar polemika të mëdha në opinionin publik atje.

Basketbollisti grek ditën e martë, postoi një foto me yllin e Turqisë, Alperen Sengun, duke shkruar se luajnë për vendet e tyre, por me respekt për secilin, për t’i qetësuar gjakrat mes dy ekipeve, që luajtën në gjysmëfinale të Eurobasket 2025, ku Turqia doli fituese. /Telegrafi/