Jeta e Kumrije Temajt u errësua kur në vitin 2022, djali i saj Jetoni, vdiq.
Jeton Temaj u aksidentua më 27 maj të atij viti, teksa po qëndronte tek vetura me 3 shokët e tij, që i kishte edhe të afërm.
Por, sipas së ëmës, ishin shokët e tij që e goditën e i sollën vdekjen Jetonit.
Një gjë të tillë e thotë edhe raporti i autopsisë.
Mirëpo shokët e Jetonit, të dyshuarit kryesor sipas Kumrisë, njëzëri vazhdojnë të thonë se Jetoni u rrëzua nga pjesa e pasme e veturës andaj edhe iu shkaktuan plagët që i morën jetën.
Gjykimi kishte filluar e mezi po ecte, e shokët e Jetonit po vazhdonin jetën të lirë.
Duke bartë dhimbjen e madhe për të birin, Kumrija nuk po mund të përballonte më që të shihte shokët e të birit të silleshin të lirë.
Kështu ajo mori vendimin që të largohej nga vendi ku ishte bërë nuse e nënë.
Gjykimi për rastin e Jeton Temajt po vazhdonte, e nënë Kumrija nuk u ndal asnjëherë duke kërkuar drejtësi për të birin.
Qielli sikur i kishte rënë mbi kokë kur në gjykatore dëgjoi vendimin e gjykatësit mbi dënimin, e sipas saj, shokëve që ia vranë të birin.
Personi për të cilin Kumrija dyshon së ia goditi të birin për vdekje, u dënua me 2 muaj burgim dhe 3 vjet privim nga patent shoferi, duke e konsideruar ngjarjen si rrezikim të trafikut publik.
Një vendim të tillë nuk e pranoi assesi Kumrija e mbrojtja e saj Xhemajl Ademaj.
Mbi këtë vendim nga gjykatorja e Gjykatës në Pejë, Temajt u ankuan në Gjykatë të Apelit nga e cila po presin përgjigje.
Me lot në sy, nënë Kumrija për KIKS Kosovën thotë se është e zhgënjyer nga institucionet e vendit. E zhgënjyer ajo u shpreh edhe nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Për KIKS Kosovën, ajo tutje tha se disa herë iu adresua direkt asaj mirëpo një zgjidhje nuk e pa. Madje këtë rast ajo po e krahason me një rast tjetër që sipas saj u fsheh nga drejtësia e vendit tonë.
E thyer, Kumrija thotë se do të mbledhë të gjitha forcat dhe nuk do të ndalet kurrë duke kërkuar drejtësi për të birin.
The post “Djali jem po ha dhe, ai po sillet i lirë”, Kumrija nuk pajtohet me dënimin e të dyshuarit (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.