Ditëlindja e 26-të e Policisë, Qalaj: Motoja ‘të mbrosh e të shërbesh’, mishërimi i misionit të saj

Ditëlindja e 26-të e Policisë, Qalaj: Motoja ‘të mbrosh e të shërbesh’, mishërimi i misionit të saj

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në përvjetorin e 26-të të themelimit të këtij institucioni, tha se motoja “Të mbrosh e të shërbesh” është mishërimi i misionit të tij.

Por sipas tij, sot më shumë se kurrë, Policia e Kosovës ka nevojë për mbështetjen, transmeton Klankosova.tv.

“Sot shënojmë 26-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës. Policia është Populli, Populli është Policia. Motoja “Të mbrosh e të shërbesh” është mishërimi i misionit të saj. Gjithmonë të gatshëm në krye të detyrës, të palodhur e të patrembur, policët dhe policet tona me uniformën blu janë krenaria e Kosovës. Ata shërbejnë me profesionalizëm e disiplinë, pa kursyer as jetën në mbrojtje të qytetarëve dhe të atdheut tonë të dashur”.

“Por sot më shumë se kurrë, Policia jonë ka nevojë për mbështetjen tonë dhe të institucioneve: për kushte më të mira pune, paga dinjitoze, trajnime profesionale, pajisje moderne, sigurim shëndetësor e jetësor. Ka nevojë për një lidership të guximshëm e me integritet që mbron interesin e policëve dhe integritetin institucional të kësaj force”, ka shkruar Qalaj në Facebook.

“Gabimet individuale duhet të trajtohen me paanshmëri e vendosmëri, por nuk duhet harruar kurrë se shumica dërrmuese e policëve dhe policeve tona kryejnë akte heroike çdo ditë – duke mbrojtur rendin, sigurinë dhe lirinë që u fitua me gjakun e Dëshmorëve të kombit dhe sakrificën e UÇK-së”.

Ndër të tjera, Qalaj, tani deputet, thotë se është krenar që ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës për plot 20 vjet.

“Jam krenar që isha pjesë e Policisë së Kosovës për 20 vite, dhe që pata fatin ta drejtoj atë për një kohë të caktuar si Drejtor i Përgjithshëm.  Urime ditëlindja e 26-të, Policia e Kosovës! Lavdi të gjithë policëve e policeve të rënë në krye të detyrës!”.

The post Ditëlindja e 26-të e Policisë, Qalaj: Motoja ‘të mbrosh e të shërbesh’, mishërimi i misionit të saj appeared first on Klan Kosova.