Pavarësisht se Barcelona në afatin kalimtar kishte tentuar ta shiste, Fermin Lopez (22) është shfaqur si një nga lojtarët kryesorë në fillim të sezonit.
Mesfushori nga El Campillo ka luajtur si titullar në pesë nga gjashtë ndeshjet e para, por një dëmtim në ndeshjen kundër Getafes do ta mbajë jashtë për të paktën tre javë.
Të mërkurën në mëngjes, në një intervistë me RAC1, Lopez reflektoi mbi ditët e tij të para dhe çështje të tjera aktuale, shkruan Marca.
Fillime të vështira në La Masia
Mesfushori i ri kujtoi ditët e tij të para në akademinë e famshme të Barcelonës, të cilat nuk ishin të lehta për të.
“Dita ime e parë në La Masia ishte më e keqja e jetës sime. Ishte hera e parë që dola nga shtëpia dhe qava shumë”.
“Barça ishte e interesuar për mua kur isha 11 vjeç, por babai im tha ‘jo’ sepse isha shumë i vogël. Dy vjet më vonë, klubi më telefonoi përsëri duke thënë se ishte treni im i fundit. Fillimi nuk ishte i lehtë, duhej të isha larg familjes dhe miqve të mi, por krijuam një grup të mirë me Xavi Simons dhe djemtë e tjerë”, tregon Fermin.
Fermin Lopez në La Massia
Marrëdhënia me Gavi
Kohët e fundit, mediat raportuan për probleme të supozuara në marrëdhënien e tij me Gavi, por Fermin e mohoi me forcë këtë gjë.
“Marrëdhënia jonë është e njëjtë si gjithmonë. Ne njihemi që kur ishim 13 vjeç dhe nuk kemi probleme. Ai është një nga miqtë e mi më të mirë në dhomën e zhveshjes, së bashku me Pedrin, Balden, Eric dhe Danin”.
“Disa gjëra kanë dalë në pah, por si ajo që ndodhi midis Ter Stegen dhe Szczesny. Askush nuk e di çfarë po ndodh brenda. Nëse je futbollist, duhet ta dish që këto gjëra ndodhin dhe mendërisht duhet të jesh gati. Ne jemi të pjekur dhe inteligjentë”, shtoi ai.
Fermin dhe Gavi
Një largim i mundshëm nga Barça
Ai foli edhe për thashethemet për një transferim të mundshëm gjatë verës: “Nuk e mendova. Nuk kam pasur kurrë ndërmend të largohem dhe nuk mendoj se klubi donte të më shiste. Kam qenë tifoz i Barcelonës gjithë jetën time. Kam pasur oferta, por nuk mendoj se ndonjëra ishte nga Real Madridi”.
Fermín ka kaluar të gjithë karrierën e tij te Barcelona, duke bërë 93 paraqitje për ekipin e parë, me 21 gola dhe 11 asiste. Kontrata e tij skadon në verën e vitit 2029 dhe Transfermarkt e vlerëson në 50 milionë euro. /Telegrafi/