Koalicionet VLEN dhe AKI gjatë ditës së sotme kanë vazhduar me aktivitetet në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale. Në ditën e 17-të të fushatës, AKI ka mbajtur tubimin përmbyllës në Komunën e Çairit, prej ku kandidati i tyre Bujar Osmani, tha se ndershmëria është kapitali më i madh i tij dhe se ajo do të sjell ndryshim në Çair.
“Besoj se ekziston ndershmëria dhe se me ndershmëri mund të ndërtojmë një Çair me pamje evropiane, por me shpirt të ngrohtë – një Çair që u shërben njerëzve, që i përgjigjet nevojave të tyre dhe që do t’u kthehet qytetarëve, nga duart e një klike që e ka përdorur vetëm për interesat e pak vetave”. Kështu deklaroi kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në fjalimin e tij të mbajtur sonte në tubimin e madh në Çair, duke theksuar se ndryshimi i vërtetë në komunë fillon me ndershmëri, rend dhe përkushtim.
“E di se nga unë nuk prisni fjalë të mëdha – prisni vepra. Por çdo vepër mbështetet në një plan, në një vizion, në një besim”, tha Osmani, duke theksuar se vlera e tij më e madhe politike dhe profesionale është ndershmëria dhe se pikërisht mbi të do të ndërtohet Çairi i ri, dinjitoz.
Osmani shtoi se qytetarët meritojnë një komunë me shpirt evropian dhe fytyrë njerëzore, që nuk u shërben qendrave partiake të pushtetit, por nevojave të çdo banori.
Ndërsa kundërkandidati i tij Izet Mexhiti, në rrjetet sociale ka njoftuar se është takuar me banorët e Serovës.
“Sot ecëm nëpër Serovën time. Rrugë për rrugë. Derë më derë. Takova njerëzit tanë. Fola me ta. I dëgjova me zemër, ashtu si gjithmonë. Edhe dje, edhe sot pranë tyre, në çdo rrugë, në çdo shqetësim, në çdo shpresë, dhe për çdo kërkesë. Çairi po ndërtohet, me punë, me vepra, me besim. Çdo takim, çdo dorë që shtrënguam, është premtim për më shumë. Dhe më 19 tetor, bashkë e çojmë këtë fitore deri në fund!Për një Çair që fiton, që zhvillohet, që bëhet shembull për të gjithë!”, ka shkruar Mexhiti.
Kandidati i AKI-së për Komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, ka njoftuar se sot ka vizituar vendbanimin Saraqinë.
“Sot vizituam vendbanimin Saraqinë. Shumë fjalë, por asnjë punë për katër vite! Takuam dhe kuvenduam me banorët, duke i siguruar se programi dhe oferta jonë për katërvjeçarin e ardhshëm do të jetë për çdo qytetar dhe për çdo vendbanim të Komunës së Tetovës, pa përjashtim!”, ka shkruar Rexhepi.
Ndërsa kandidati nga radhët e VLEN-it për Komunën e Tetovës, Bilall Kasami, sot ka marrë pjesë në një panel në qendër të Tetovës me temë “Zëri i rinisë në vendimmarrje”.
“Sot pata kënaqësinë të marr pjesë në panelin “Zëri i rinisë në vendimmarrje”, organizuar në qendër të Tetovës nga Forumi Rinor, një ngjarje e frymëzuar nga energjia, idetë dhe pasioni i të rinjve për të bërë gjëra të mira për vendin tonë.Në fjalën time i inkurajova të gjithë të rinjtë të jenë unik, të dëgjojnë ata me më shumë përvojë dhe të bëhen shembull për gjeneratat që vijnë pas tyre”.
“Rinia jonë ka potencial të jashtëzakonshëm dhe që nga dita e parë në drejtim të Komunës, kam besuar se rinia duhet të ketë rol udhëheqës, jo vetëm në ide, por edhe në vendimmarrje. Prandaj jam krenar që shumë të rinj si Albi Qamili, Valon Zeqiri e shumë të tjerë sot mbajnë pozita të rëndësishme dhe janë shembull i gjallë se kur i beson rinisë, ajo di të udhëheqë me përgjegjësi e vizion”, ka shkruar Kasami./Telegrafi/