Ambasadori Sokol Gjoka komentoi situatën politike në Kosovë dhe bëri thirrje që Kosova të rivendosë sa më shpejt bashkëpunimin në nivelin më të mirë të mundshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi kjo situatë aktuale do të ketë kosto për vendin.
Gjoka theksoi se pavarësisht problemeve të brendshme, Serbia po përpiqet të përfitojë nga kjo situatë, ndaj faktori politik në Kosovë duhet ta tejkalojë situatën dhe të forcojë bashkëpunimin me aktorët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në.
“Mendoj që Shtetet e Bashkuara kanë një vëmendje ndaj Ballkanit, por me gjithë zhvillimet ndërkombëtare, kjo vëmendje duket periferike dhe është lënë në dorë të Europës që të merret më gjerësisht me këtë çështje. Por faktikisht kemi disa problematika në Kosovë, të cilat është mirë të tejkalohen sa më shpejt, si formimi i institucioneve, rritja e reputacionit të Kosovës dhe vendosja e bashkëpunimit me SHBA-në në nivelin më të mirë të mundshëm. Kjo situatë aktuale ka kosto për vetë Kosovën dhe në njëfarë mënyre i jep pikë edhe Serbisë, pavarësisht se Serbia ka problematikat e veta. Prandaj Kosova duhet të shpejtojë që të fitojë nga problematika e Serbisë dhe të ecë përpara, në mënyrë që të sigurojë mbështetjen e faktorëve ndërkombëtarë dhe të jetë pranë më të fortit,” tha ambasadori Gjoka.
Ai shtoi se Kosova duhet të bashkëpunojë ngushtë jo vetëm me SHBA-në, por edhe me Tiranën zyrtare dhe gjithë shqiptarët në rajon./Euronews Albania
– YouTube youtu.be