Banorët e Gjakovës, kanë ngritur shqetësime lidhur me faturat e shtrenjta të ngrohjes dhe dyshimet se sistemi atje po funksionon me orë matëse individuale dhe jo kolektive, siç ishte më parë.
Qytetari Dukagjin Godeni në në lidhje direkte për emisionin “Fol me Arin” në Klan Kosova FM është ankuar për rritje enorme të çmimit të ngrohjes, njofton Klankosova.tv.
“Deri më tani kemi qenë shumë të kënaqur, mirëpo çmimi kësaj here pa pritur na është rritur gati 100%. Sipas kontratës që kemi, pagesa bëhet për metër katror, por tani na kanë thënë se është me bazë të fuqisë. Ne orë matëse nuk kemi, jemi me një orë matëse kolektive. Në rast se kjo nuk rregullohet, do të çkyçemi dhe do të vazhdojmë me klima,” tha ai.
Sipas tij, vendimi për ndryshimin e tarifave është bërë pa njoftim.
“Nëse e ke shtrejtu metrin katror, sille vendimin. Por pa njoftim, pa asgjë, të vijë ky çmim është e papranueshme”, u shpreh Godeni.
Ndërsa, qytetari tjetër, Shkumbin Arllati ka deklaruar se krahas vitit të kaluar, sivjet është dyfishuar
“Këtu është fatura e vitit të kaluar, që më ka ardhur 60 euro. Sivjet, për 13 ditë, më ka ardhur 66 euro. Domethënë çmimi është dy herë më i shtrenjtë. Edhe i kam thënë drejtorit: Bjerma orën time, unë e di sa harxhoj, sa konsumoj. Nëse nuk kanë mundësi të ma sjellin orën, qysh e kam pasur, atëherë lërma”, tha Arllati.
Banorët kërkojnë që autoritetet kompetente të sqarojnë ndryshimin e tarifave dhe të vendosin një sistem më transparent të matjes së konsumit të ngrohjes.
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>