Friday, April 3, 2026
spot_img
HomeLajmeDiktafoni ndizet nga gazetarët gjatë bisedës avokat–klient në sallën e gjyqit, Avokati...

Diktafoni ndizet nga gazetarët gjatë bisedës avokat–klient në sallën e gjyqit, Avokati Berisha: Kjo është krim

Një debat i tensionuar ka ndodhur së fundmi në një seancë gjyqësore, pasi avokati Besnik Berisha reagoi ashpër ndaj një incizimi të bërë pa autorizim gjatë komunikimit të privilegjuar avokat–klient.

Incizimi, sipas Berishës, përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit dhe të të drejtave themelore të klientit, duke shkelur konfidencialitetin e mbrojtjes ligjore.

“Për korrektësi njerëzore, profesionale, etike, jam personi që i respektoj më së shumti mediat, sepse jam vetë pronar medie dhe këto i trajtoj vetë si media, jo si institucion. Situata që përjetuam në këtë sallë, në fakt ishte vepër penale e konsumuar. Për shkak se, me të mbaruar gjykimi, përkatësisht me të mbaruar sesioni (se gjykimi s’ka mbaruar), sesioni, kur gjykata u tërhoq për qëllim dhe analizë të çështjes së ngritur, mbetëm në sallë prokurori, eksperti, dy avokatët dhe klientët tanë. Pas dy minutave, përderisa ne komunikonim mes vete dhe është një komunikim i privilegjuar avokat-klient, unë u afrova për të shikuar nëse daktofoni është i aktivizuar dhe konstatova që po”, theksoi Berisha.

“Me shumë respekt e mora në dorë, shkova dhe i luta gazetarët, thashë a ka mundësi me ndal se ne këtu flasim për çështje të cilat nuk janë pjesë e publikut. Me një injorancë e ironi ia dha gjoja koleges së saj për ta ndalë. Me ironi, pa e komentuar fare, ia dha gjoja koleges së vet për ta ndalë dhe një minutë më pas, u tërhoqën e të dyja dolën jashtë bashkë me laptopin dhe e lanë të aktivizuar daktofonin. Kjo është krim, sepse është inçizim i paautorizuar, se diskutimi avokat-klient nuk mund të inçizohet në asnjë rast e për asnjë arsye dhe se unë i kisha paralajmëruar që as publikisht e as tinëzisht mos ta inçizojnë pjesën e komunikimit tonë”, deklaroi tutje ai.

Reagimi i Berishës vjen pas një “denimi” nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili sipas tij, interpreton në mënyrë të njëanshme situatën dhe injoron faktin se incizimi ishte i paligjshëm.

Ai thekson se nuk bëhet fjalë për pengim të medias, por për mbrojtje të të drejtave të klientit dhe integritetit të procesit gjyqësor.

“Situata që përjetuam në sallë ishte vepër penale e konsumuar. Pas përfundimit të seancës, gjatë një pauze ku mbetëm vetëm ne, prokurori, eksperti, dy avokatët dhe klientët, unë konstatoj se daktofoni ishte aktivizuar. U afrova dhe kërkova që të ndalohej incizimi i diskutimit tonë, i cili është i privilegjuar avokat–klient. Por gazetarët vazhduan ta lënë të ndezur, duke bërë kështu një shkelje të qartë ligjore”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se ka ndërhyrë personalisht duke ndaluar diktafonin dhe duke informuar gazetarët për pasojat ligjore të veprimit të tyre.

“Kjo është e vërteta e plotë. Seanca është publike, por jo diskutimi avokat–klient. Ky incizim i paautorizuar është krim dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rast”, tha avokati.

Në reagimin e tij zyrtar, Berisha shprehet se incizimi shkel nenet e Kushtetutës së Kosovës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke cenuar të drejtën për gjykim të drejtë dhe konfidencialitetin e komunikimit me avokatin.

Ai thekson se reagimi i AGK-së amniston shkeljen dhe penalizon mbrojtjen ligjore të klientit, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për respektimin e të drejtave themelore në proceset gjyqësore.

Berisha përfundon duke theksuar se respekti ndaj medias mbetet i padiskutueshëm, por ai nuk mund të ndërtohet mbi cenimin e të drejtave themelore dhe shkeljen e ligjit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT