Sean “Diddy” Combs u paraqit të premten, më 3 tetor, në një sallë gjyqi në Manhattan për dënimin e tij, tre muaj pasi u shpall fajtor për transport të individëve me qëllim angazhimin në prostitucion.
Gjatë seancës, ekipi i tij mbrojtës luajti për gjyqtarin një video 12-minutëshe që tregonte Diddy duke kryer shërbime për komunitetin dhe duke kaluar momente të veçanta me familjen e tij.
Në video, reperi shihet duke dhënë fjalime motivuese për fëmijët, duke kaluar kohë argëtuese me të bijtë dhe madje duke marrë pjesë në një maratonë për mbledhjen e fondeve për arsimin, shkruan People.
Foto: Screenshot
Ndërsa video po luhej, Combs u emocionua dhe në një moment avokati i tij, Brian Steel, i dha një pecetë, ndërsa reperi duket se po fshinte lotët.
Ai ishte i veshur me një pulovër krem mbi një këmishë me jakë dhe pantallona të errëta, duke mbajtur një pamje serioze gjatë seancës.
Prokurorët kërkojnë një dënim prej 12 vitesh burg, duke e përshkruar atë si “të pashpirt dhe pa pendesë” për veprimet e tij. Ndërkohë, mbrojtja ka kërkuar që dënimi të mos jetë më shumë se 14 muaj.
Edhe pse Diddy u shpall i pafajshëm për akuzat më serioze të trafikut seksual dhe mashtrimit, pretendime të reja kanë vazhduar të dalin në media.
Javën e kaluar, stilisti i tij i mëparshëm ngriti një padinë duke e akuzuar Combs për abuzim fizik dhe seksual, trafikim njerëzor dhe dhunë ndaj orientimit seksual. Combs ka mohuar të gjitha akuzat. /Telegrafi/