Diar Libusha – ylli i ri nga Kosova që po tërheq vëmendje në Evropë

Diar Libusha – ylli i ri nga Kosova që po tërheq vëmendje në Evropë

Në basketbollin kosovar po del në pah një emër i ri: Diar Libusha. I lindur në vitin 2009 dhe pjesë e KB Borea, ai është një nga talentet më interesantë të gjeneratës së re. Me gjatësi 2.02 metra, Libusha luan si sulmues (krahë), por mund të përshtatet lehtësisht edhe në pozicione të tjera falë stilit të tij të gjithanshëm.

Faqja e njohur Eurohopes, që merret me vlerësimin e talenteve të rinj në basketbollin evropian ka piketuar kësaj radhe djaloshin kosovar, Diar Libusha, duke shkruar një artikull për të.


Në ngjarjen e fundit ku mori pjesë në Kampionatin Evropian për grupmoshën U16 (Divizioni B), sipas Eurohopes, ai la përshtypje të fortë, dhe mund të jetë emri i radhës që mund të vazhdoj karrierën në garat e FIBA-s.

Libusha ka një lojë elegante dhe të qetë, e cila të jep ndjesinë se gjithçka i vjen natyrshëm. Ai e kontrollon topin me lehtësi dhe tregon instinkt të lindur për lojën, një cilësi që e veçon nga bashkëmoshatarët e tij.

Sipas Eurohopes, Libusha ende ka hapësirë për përmirësim fizik. Shpatullat e ngushta dhe muskujt e pazhvilluar tregojnë se trupi i tij është në proces rritjeje. Por nëse ky zhvillim shkon paralel me përparimin teknik, Libusha mund të bëhet shumë konkurrues në nivel të lartë.

Për momentin, ai ndjehet më rehat me topin në duar, gjë që e bën më shumë krijues se përfundues aksionesh. Efikasiteti i tij nuk është ende në nivelin e duhur, por kjo vjen natyrshëm për një lojtar të kësaj moshe që po mëson të shfrytëzojë plotësisht talentin e vet.

Analistët e kanë krahasuar shpesh me Neoklis Avdalas, yllin e ri grek – por si version më pak atletik. Një krahasim që tregon shumë për potencialin teknik dhe inteligjencën në lojë që Libusha tashmë po shfaq.

Në KB Borea, trajnerët besojnë se ai mund të shndërrohet në një prej lojtarëve më premtues të basketbollit kosovar.

Me punë, disiplinë dhe zhvillim fizik, Diar Libusha ka gjithçka që i duhet për të kaluar në një nivel tjetër – ndoshta edhe përtej kufijve të Kosovës. /Telegrafi/