Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka theksuar se Kosova duhet të përmbushë angazhimet e saj në procesin e dialogut dhe të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Hill ka shprehur shqetësimin për pengesat që po e vonojnë këtë proces.
Ai ka thënë se është zhgënjyese që përpjekjet për të arritur një marrëveshje për Asociacionin po bllokohen nga çështje që, sipas tij, janë më shumë “propagandistike sesa reale,” duke përmendur debatet rreth nënshkrimeve të marrëveshjeve dhe detajeve të tjera të natyrës administrative.
“Ne duhet ta shohim atë marrëveshje të realizuar plotësisht dhe pjesë e saj është edhe ideja që serbëve në veri të Mitrovicës t’u garantohet një autonomi e kufizuar. Bëhet fjalë për një asociacion që merret me çështje si arsimi dhe spitalet, pra tema të kësaj natyre,” ka shtuar Hill për REL-in.
Në lidhje me sfidat territoriale, Hill ka theksuar se Serbia nuk është duke sfiduar territorin e Kosovës, duke e orientuar diskutimin nga fokusimi tek toka, në një diskutim më të thellë mbi të drejtat e njerëzve në Ballkan.
“Problemi i vërtetë në Ballkan, që njerëzit duhet ta kuptojnë, nuk është toka – janë njerëzit,” ka theksuar ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!