Friday, March 27, 2026
spot_img
HomeLajmeDhuna e prindërve ndaj fëmijëve: Çka tregojnë statistikat nga QPS-të dhe gjykatat?...

Dhuna e prindërve ndaj fëmijëve: Çka tregojnë statistikat nga QPS-të dhe gjykatat? (VIDEO)

Emisioni Kiks Kosova ka mbledhur të dhëna për dhunën e prindërve ndaj fëmijëve në 5 vitet e fundit nga disa qytete të Kosovës, të cilat tregojnë për raste të shumta të neglizhencës dhe dhunës.

Në Qendrën për Punë Sociale (QPS) në Gjakovë, gjatë viteve 2021 – 2026, janë regjistruar 18 raste, prej të cilave 2 kanë qenë dhunë në familje dhe 16 raste të fëmijëve të neglizhuar.

Sipas kësaj qendre, 7 fëmijë janë larguar nga familjet e tyre, ndërsa 11 janë vendosur në kujdestari tek të afërmit, duke respektuar interesin më të mirë të fëmijës. Dy raste, sipas tyre, janë paraqitur në gjykatë dhe të dyja janë aprovuar.

Arsyet më të shpeshta që çojnë në largimin e fëmijës nga familjet në këtë komunë përfshijnë dhunën fizike, neglizhencën, abuzimin dhe kushtet e papërshtatshme për rritje dhe zhvillim, si dhe mungesën e kujdesit prindëror.

Në qytetin e Mitrovicës së Jugut janë raportuar katër raste dhune ndaj fëmijëve, ku një rast ka rezultuar me largim të përkohshëm nga familja, dy raste janë ende në proces dhe një është refuzuar.

Fëmijët mitrovicas vendosen në strehim familjar ose në SOS Fshat, ndërsa rikthimi në familje ndodh vetëm kur janë të siguruara kushtet për fëmijën.

Derisa Qendra për Punë Sociale në Ferizaj ka kërkuar afat shtesë për t’u përgjigjur pyetjeve të emisionit, duke shpjeguar se vonesa lidhet me procesin e mbledhjes dhe verifikimit të të dhënave nga databaza.

E qendrat tjera sociale, deri në transmetimin e kësaj kronike, nuk u përgjigjën në pyetjet e emisionit.

Në anën tjetër, Kiks Kosova ka kërkuar nga gjykatat të di se sa kërkesa kanë pranuar në 5 vitet e fundit për heqjen e të drejtës prindërore.

Gjykata Themelore në Gjakovë nuk ka klasifikuar veçmas rastet për heqje të kujdestarisë prindërore, pasi të gjitha lëndët regjistrohen si konteste familjare, ndërsa në Gjilan, sistemi SMIL nuk lejon identifikimin e rasteve të veçanta të dhunës nga prindërit.

Gjykata në Pejë ka regjistruar 3 raste, njëra prej të cilave është refuzuar, për njërën propozimi është tërhequr dhe një rast është deleguar në Deçan.

Në Ferizaj, janë shqyrtuar 10 kërkesa për heqje të të drejtës prindërore, 6 janë aprovuar, një pjesërisht e aprovuar, një e hedhur poshtë dhe një e tërhequr.

Ndërsa po ashtu, emisioni kërkoi të dhëna edhe nga gjykatat tjera të Kosovës, mirëpo deri në transmetimin e kësaj kronike, nuk morëm përgjigje.

Ndiqni në vijim kronikat e kësaj teme të trajtuar nga Kiks Kosova:

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT