Tuesday, March 3, 2026
spot_img
HomeLajmeDhoma e Tregtisë për krizën në Lindjen e Mesme: Mund të rrisë...

Dhoma e Tregtisë për krizën në Lindjen e Mesme: Mund të rrisë inflacionin

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, të cilat siç thuhet në një njoftim, tashmë po reflektohen në rritjen e çmimeve të derivateve të naftës në vendin tonë.

“Duke e parë se kriza po zgjerohet, rreziku i ndikimit negativ tek një numër i madh i sektorëve ekonomikë dhe i rëndimit të mëtejmë të kostos së jetesës dhe shportës së qytetarëve është i madh”.

“Meqenëse Kosova importon 100% të karburanteve dhe të njëjtat kanë një përdorim të gjerë në ekonomi, rritja e vazhdueshme e çmimeve të karburanteve ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostos së transportit dhe prodhimit të produkteve ushqimore dhe shërbimeve bazë, duke prekur veçanërisht sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë”.

Sipas saj, kjo situatë do të rris kostot e prodhimit për bizneset vendëse, zvogëlon konkurrueshmërinë, ulë potencialin për eksport, i cili edhe ashtu është goditur rëndë nga rritja e çmimit të energjisë dhe liberalizimit i energjisë që u bë në mënyrë të padrejtë.

“Kriza mund të ndikoj edhe në rritje të inflacionit. Me këtë rast, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë u bënë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin veprime konkrete dhe të menjëhershme, duke filluar me realizimin e një dialogu të strukturuar dhe të vazhdueshëm me komunitetin e biznesit, me qëllim identifikimin e sfidave reale dhe gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta”.

“DHTIK propozon që të shqyrtohet mundësia e uljes ose pezullimit të përkohshëm të disa taksave për bizneset që preken më së shumti nga rritja e çmimeve, si dhe rishikimi i barrës tatimore për produktet esenciale, në mënyrë që të zbutet ndikimi tek konsumatorët dhe të mbështetet prodhimi dhe eksporti vendor. Dhoma është e gatshme që të ofrojë kontributin e saj në tejkalimin e kësaj situate”, thuhet në reagimin e saj.

 

 

 

 

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT