Dhimbja në qafë mund të lidhet edhe me sindromën e tunelit karpal. Nervus medianus formohet nga rrënjët e nervave spinalë që bashkohen në pleksusin brakial, duke u zbritur më pas përmes krahut dhe parakrahut deri në dorë. Ky nerv kalon përmes një hapësire të ngushtë të njohur si tuneli karpal. Kur mbi të ushtrohet presion, shfaqen simptoma të ndryshme: pacientët shpesh ankohen për mpirje, dhimbje që nga dora përhapet drejt bërrylit, e ndonjëherë edhe drejt shpatullave dhe qafës.
Si mund të shfaqet dhimbja?
Nervi i mesëm (nervus medianus) kontrollon lëvizjet e dorës. Përsëritja e të njëjtave veprime, puna në linja prodhimi, puna e zgjatur para kompjuterit, gjumi në pozicion jo të rehatshëm apo dëmtimet, mund të rrisin presionin mbi nerv dhe të shkaktojnë shqetësime që nga kyçi i dorës shpërndahen deri në qafë.
Ekspertët theksojnë se edhe përpjekjet për të shmangur dhimbjen duke ndryshuar dorën me të cilën punojmë, mund të krijojnë parehati që çon në ngurtësi dhe dhimbje në qafë. Dhimbja mund të shfaqet edhe kur mundohemi të kapim një objekt; në raste të caktuara pacientët nuk arrijnë të shtrëngojnë grushtin siç duhet, duke përjetuar edhe ënjtje të gishtave, transmeton Telegrafi.
Kur duhet kërkuar ndihmë mjekësore?
Nëse dhimbja vazhdon, rekomandohet të kërkohet ndihmë profesionale, pasi pas simptomave mund të fshihen sëmundje si: reumatizma (artriti reumatoid), neuropatia periferike, skleroza multiple apo osteoartriti.
Ndihma duhet kërkuar menjëherë nëse:
- nuk jemi në gjendje të shtrëngojmë dorën,
- ndiejmë dobësi në krah,
- humbasim ndjeshmërinë në dorë, krah, shpatull ose qafë,
- nuk jemi në gjendje të kthejmë kokën.
A ka gjithmonë përmirësim pas operacionit?
Mjekët theksojnë se sindroma e tunelit karpal, përveç rasteve me dëmtime të dukshme, zakonisht shfaqet ngadalë. Shpesh problemet e vogla injorohen dhe më vonë gjendja përkeqësohet.
Dr. Young Chung nga NUCCA Wellness Clinic of Chicago thekson se para se të nisë trajtimi duhet përcaktuar saktë vendi ku ndodh kompresimi i nervit. Ka pasur pacientë që pas ndërhyrjes kirurgjikale nuk kanë ndjerë përmirësim, sepse simptoma e tyre vinte nga shtypja e nervit në një vend tjetër. Nervat e qafës lidhen me nervat e gishtave dhe kyçeve; nëse ndonjë kockë nuk është në pozicion të rregullt, shkaktohet presion dhe irritim nervor.
A ndihmon kiropraktika?
Shumica e ekspertëve nuk rekomandojnë kiropraktikën që përfshin manipulime manuale të qafës, për shkak të ndjeshmërisë së lartë të këtij rajoni. Mjekët e Spinal Association of Serbia theksojnë se në Serbi nuk ekziston shkollë apo fakultet që e mëson këtë metodë, duke shtuar se shpesh hasin pacientë që fillimisht kanë provuar kiropraktikë, para se të marrin ndihmën mjekësore të duhur.
Në vend të kësaj, specialistët sugjerojnë përdorimin e kompresa të ngrohta (ose të ftohta në rast ënjtjeje), si dhe përdorimin e mbështetësve të kyçit (orteza, mbajtëse) për të kufizuar lëvizjet e tepruara dhe për të ulur presionin mbi nerv.
Faktorët e rrezikut
Rreziku për sindromën e tunelit karpal dhe dhimbjet në qafë rritet nëse kalojmë shumë orë të përkulur mbi tastierë, luajmë instrumente si kitara ose punojmë me lëvizje të përsëritura.
Lëvizjet e shpeshta të dorës mund të dëmtojnë muskujt, tendinat dhe indet e buta. Njëkohësisht, qëndrimi i keq i trupit në kombinim me këto lëvizje mund të shkaktojë dhimbje në shpatulla, qafë dhe shpinë.
Parandalimi
Parandalimi nis nga qëndrimi i duhur:
▪ gjatë punës në kompjuter, duart duhet të jenë në nivel me tastierën, jo në skaj të tavolinës,
▪ monitori duhet të jetë i pozicionuar në lartësi të syve,
▪ kokën nuk duhet ta përkulemi përpara.
/Telegrafi/