Në rrugët e qytetit katalanas Mataró, detaje të reja kanë dalë në dritë për sulmin e dhunshëm ndaj Mounir Nasraoui, babait të talentit të Barcelonës, Lamine Yamal.
Sipas dëshmitarëve, Nasraoui u godit disa herë me thikë gjatë një grindjeje në një parking, ndërsa sulmuesit pretendojnë se vepruan në vetëmbrojtje. Ngjarja ka marrë një kthesë të çuditshme, pasi viktima, 39-vjeçari Nasraoui, është paraqitur më pas si i pandehur për ngjarjen.
Incidenti ndodhi më 14 gusht 2024 në lagjen Rocafonda të Mataró, ku ka kaluar fëmijërinë Lamine Yamal. Kjo zonë, me kod postar 304, është shpesh simbolike për futbollistët e rinj, të cilët e përdorin për të festuar golat e tyre.
Pas sulmit, Nasraoui u dërgua me urgjencë në spitalin Can Ruti në Badalon, me tre plagë thike që ekspertët mjeko-ligjor i vlerësuan si “kërcënuese për jetën”. Për shkak të gjendjes së rëndë, ai kaloi disa ditë në njësinë e kujdesit intensiv.
Viktima bëhet i pandehur
Edhe pse ishte viktimë e sulmit, Nasraoui u paraqit para gjykatës së Mataró dy javë më parë si i pandehur. Sulmuesit pretendojnë se goditjet ishin aksidentale dhe se ata vepruan në vetëmbrojtje pasi ia morën thikën mikut të tij.
Njëri nga sulmuesit pësoi një thyerje të hundës, për të cilën fajëson Nasraouin, ndërsa babai i Yamalit pretendon se të gjitha goditjet i dha vetëm për t’u mbrojtur pasi u gjend në një cep të parkingut.
Dëshmitarët tregojnë detaje të tmerrshme
Grindja thuhet se nisi kur dikush hodhi ujë mbi Nasraoui nga kati i tretë i një ndërtese pranë. Nasraoui, sipas dëshmitarëve, reagoi duke thënë: “Çfarë po ndodh, o njeri? Po ecja i qetë dhe tani po më hedhin gjëra. Ose një avokat i mirë do ta trajtojë këtë, ose do të merremi me të më vonë”.
Gjashtë orë më vonë, situata u përshkallëzua në parking. Njëri prej dëshmitarëve rrëfeu: “Mounir po vraponte, ai me thikë e ndoqi dhe e theri. Ai e goditi dy ose tre herë në gjoks dhe në brinjë”.
Një dëshmitar tjetër shtoi: “Ata donin ta vrisnin. Njëri mbante një thikë. Ai lëvizte si kafshë. Ai donte ta vriste”.
Ndërkohë, një dëshmitar i tretë konfirmoi se Adriani, një nga të akuzuarit, kishte qenë ulur pas, por më pas u ngrit dhe u drejtua me thikë drejt Mounirit, duke e goditur tre ose katër herë.
Deklaratat e katër dëshmitarëve u morën në të njëjtën natë për të shmangur harmonizimin e rrëfimeve. Ndërkohë, sulmuesit janë arrestuar, por autori i dyshuar është liruar për të ndryshuar ekipin e tij ligjor, duke pretenduar vetëmbrojtje. Çështja mbetet ende e hapur dhe nën hetim nga autoritetet lokale. /Telegrafi/