Irani u trondit gjatë natës nga një sulm i gjerë ajror dhe me dronë, i koordinuar dhe i orkestruar nga Izraeli në kuadër të operacionit “Luani në ngritje”. Sulmet goditën objektiva strategjikë në Teheran dhe në qendrën bërthamore të Natanzit, duke shkaktuar viktima të shumta në radhët e komandës ushtarake dhe shkencëtarëve bërthamorë iranianë, shkruan Gazeta Sinjali.
Operacioni, i përgatitur prej vitesh, përfshiu tre faza kryesore: një skuadër komando e Mossad-it depërtoi në territorin iranian për të vendosur armë pranë sistemeve të mbrojtjes ajrore, teknologji sulmuese u vendosën në automjete civile në qytete të ndryshme, dhe u përdor një bazë sekrete me dronë të armatosur brenda Iranit për të goditur raketat tokë-tokë.
Mes viktimave janë komandanti i Gardës Revolucionare, Hossein Salami, dhe gjashtë shkencëtarë bërthamorë, siç konfirmohet nga mediat shtetërore iraniane. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e përshkroi sulmin si një sukses të madh të inteligjencës dhe koordinimit ushtarak, me qëllimin për të neutralizuar kapacitetet bërthamore dhe raketore të Iranit, raporton A2CNN.
Ndërkaq, SHBA distancoi veten nga sulmi, duke paralajmëruar Iranin kundër sulmeve ndaj bazave amerikane. Irani ka kërcënuar me hakmarrje dhe ka lëshuar më shumë se 100 dronë drejt Izraelit, të cilët po përpiqen të ndalohen nga forcat izraelite.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!