Dëshmitari në rastin e Nagip Krasniqit: U udhëzuam të tregtojmë energji me kompani të pa licencuara

Dëshmitari në rastin e Nagip Krasniqit: U udhëzuam të tregtojmë energji me kompani të pa licencuara

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarëve në rastin kundër ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK),  i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton KosovaPress.

Dëshmitari i radhës i cili u dëgjua sot ishte eksperti i lartë për analiza të tregut dhe tregtim të energjisë në KEK, Hasan Kerolli, i cili tregoi se përkundër njoftimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për ndërprerje të tregtimit të energjisë me çdo kompani që nuk është e licencuar në Kosovë dhe Shqipëri, Korporata Energjetike e Kosovës ka vazhduar tregtimin e energjisë elektrike me Holding Slovenske Elektrane, e cila ishte e pa licencuar në Kosovë apo Shqipëri. Në seancën e sotme ishte i pranishëm i akuzuari Nagip Krasniqi.

Ai ka treguar se Zyra për tarifa dhe çështje rregullative në kuadër të KEK-ut  i është drejtuar ZRRE-së lidhur me atë se me cilat kompani lejohet tregtimi i energjisë dhe pas marrjes së përgjigjes nga Edmond Nulleshi iu është thënë që të vazhdohet tregimit me të gjitha kompanitë siç kishin vepruar deri në atë kohë.

Të interesuar se kush ishin kompanitë që nuk kishin licencë në Kosovë dhe Shqipëri, Kerolli tha se ishte kompania sllovene HSE (Holding Slovenske Elektrane) e cila kishte licencë të një shteti evropian.

I pyetur nga prokurori special, Dren Paca se kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi a ka qenë i njoftuar për këto vendime për tregtim me kompanitë që nuk janë të licencuara në Kosovë, dëshmitari Hasan Kerolli pohoi se për këtë gjë ka qenë i njoftuar edhe i akuzuarit Krasniqi pasi ka qenë i përfshirë në komunikimet me email që janë bërë.

Ndërsa, në pyetjen se a është tregtuar energji elektrike me kompaninë sllovene HSE edhe pas ndërprerjes së kontratës, Kerolli mohoi një gjë të tillë.

Dëshmitari Hasan Kerolli kur u pyet nga prokurori se kush e bëri përzgjedhjen e operatorëve për blerje të energjisë gjatë vitit 2022, ai tha se deri në  vitin 2021 përzgjedhja ishte bërë nga drejtori operativ, por nga dhjetori i vitit 2021 e deri më 1,2,3 janar 2023 përzgjedhja u bë nga kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Për ekspertin e lartë për analiza të tregut dhe tregtim të energjisë në KEK, Hasan Kerolli pyetje parashtroi edhe Virtyt Ibrahimaga, avokati i të akuzuarit, Nagip Krasniqi.

Ai ndër tjera u interesua të di saktësisht për kohën kur kishin pranuar informacionin nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë për ndalim të tregimin me kompanitë të pa licencuara në Kosovë apo Shqipëri. Dëshmitari tha se jo zyrtarisht kjo ka ndodhur në fund të muajit maj 2022.

Mbrojtësi Ibrahimaga kërkoi të di se në çfarë periudhe ishte nënshkruara kontrata në mes të Korporatës të Energjisë Elektrike dhe kompaninë sllovene HSE për tregim të energjisë.

Kerolli tregoi se edhe para vitit 2018, KEK-u kishte treguar energji elektrike me kompaninë sllovene, por që gjatë vitit 2018 janë nënshkruar kontrata të reja me disa kompani ndër to ka qenë edhe HSE.

I pyetur nga avokati i Krasniqit se a duhet paguar Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në rastin kur rryma blihet në kufi, dëshmitari tha se TVSH-ja në raste të atilla nuk paguhet.

Seanca e kaluar për shqyrtimin gjyqësor në rastin e Nagip Krasniqit dështoi pasi dëshmitari Skënder Muqolli mungoi me arsyetimin se ka probleme shëndetësore.

Më 3 korrik 2025, Nagip Krasniqi u deklarua i pafajshëm para Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në nisje të gjykimit për aktakuzën e parë ndaj tij.

Prokuroria Speciale pretendon se Krasniqi ia mundësoi kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” (HSE) që të tregtojë energji pa pasur licencë në Kosovë, duke i shkaktuar dëm shtetit prej rreth 3.2 milionë eurosh./KP/.

The post Dëshmitari në rastin e Nagip Krasniqit: U udhëzuam të tregtojmë energji me kompani të pa licencuara appeared first on Klan Kosova.