Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shpërndarë në rrjetet sociale një pjesë nga dëshmia e ish-Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Rubin, dhënë në Hagë, ku ai kritikoi ashpër paraburgimin e gjatë të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në postimin e tij, Rama e shoqëroi dëshminë e Rubin me një koment të fortë politik.
“LIRIA KA EMËR! Nga dëshmia e ish-Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, në Hagë ku një proces shtangës ka njollosur keq drejtësinë ndërkombëtare…”, shkroi ai.
Për dy ditë me radhë, Rubin ka dëshmuar në procesin që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ai shprehu shqetësim të madh për faktin që Thaçi dhe të tjerët po mbahen kaq gjatë në paraburgim, ndonëse janë dorëzuar vullnetarisht.
Në ditën e dytë të dëshmisë, Rubin kritikoi hapur trajtimin e të akuzuarve.
“Më është dukur si fajësim kolektiv për shkak të faktit se i akuzuari ka qenë udhëheqës i UÇK-së. Duke qenë se i kam parë nga afër liderët e UÇK-së, duke pasur një ide të mirë të funksionimit të saj, unë mendoj kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi”, theksoi ai para trupit gjykues.
Rubin nënvizoi se paraburgimi i zgjatur i Thaçit dhe ish-bashkëluftëtarëve të tij nuk i shërben drejtësisë, përkundrazi, e njollos atë.