Në seancën gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt, e cila nisi me 40 minuta vonesë për shkak të kompletimit të trupës gjykuese, dëshmoi sot mjeku ligjor Naim Uka, i cili kishte kryer ekzaminimin e trupit të viktimës.
Gjatë dëshmisë së tij, Uka theksoi se viktima është qëlluar nga një distancë shumë e afërt dhe se predha e armës kishte shkaktuar plagë fatale në kokë:
“Gjatë procedurës së mjekësisë, mjekoligjore është konstatuar vrima hyrëse në rajonin e djathtë muror të kokës, e shkaktuar nga veprimi dinamik i predhës së hedhur nga arma e zjarrit, e cila kishte drejtim nga djathtas majtas, nga përpara pjerrtas dhe pas, dhe nga poshtë pjerrtas lart.”
Ai shtoi se një pjesë metalike e predhës është gjetur në anën e majtë murore të kokës dhe është dorëzuar si provë materiale:
“Është e rëndësishme të ceket se pjesë metalike të kësaj predhe është gjetur në anën e majtë murore të kokës, e cila është dorëzuar si provë sipas zinxhirit të ruajtjes së provave të policisë hetuese.”
Sipas mjekut ligjor, shkaku i vdekjes ka qenë gjakderdhja e brendshme dhe jashtme trurore, si pasojë e plagës nga arma e zjarrit.
Në lidhje me distancën e qitjes, Uka tha se ishte shumë e afërt, duke paraqitur prova të djegies së lëkurës dhe pranisë së barutit:
“Gjatë ekzaminimit të plagës hyrëse, kemi konstatuar rreth vrimës hyrëse praninë e faktorëve plotësues të qitjes, të cilët kanë shkaktuar djegien e lëkurës me praninë e grimcave të barutit.”
“Në bazë të këtyre provave mjekoligjore është konstatuar se distanca e qitjes sillet nga 2-5 cm.”
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!