Ish-ndihmëssekretari amerikan, James Rubin, ka përfunduar për sot dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Gjatë pyetjeve nga ana e prokurorit James Pace, Rubin tha se diplomati Christopher Hill ishte i anshëm dhe kundër UÇK-së.
Ai e akuzoi Hillin për përpjekje për të dëmtuar figurën e tij dhe të sekretares Madeleine Albright, duke e paraqitur atë si të ndikuar nga UÇK-ja dhe jo të paanshëm në negociatat për Kosovën.
“Christopher Hill ka qenë i anshëm dhe e kam vënë re këtë. Ai nuk ishte i paanshëm, ishte me LDK-në e ishte kundër UÇK-së. Unë isha i paanshëm dhe më është kërkuar të udhëhoqa delegacionin tonë. Hill përpiqej të më dëmtonte mua dhe sekretaren Albright duke thënë se ajo kishte ndikim mbi Thaçin dhe delegacionin në Rambuje. Në fakt, ne kishim vetëm një qëllim: të arrinim marrëveshjen,” tha Rubin.
Kjo deklaratë erdhi pas leximit të një deklarate të Hillit, ku ai kishte thënë se Rubin e udhëhoqi Thaçin, duke i thënë se çfarë kostumi dhe kravate të veshte. Rubin e quajti këtë “mit” dhe “jo të vërtetë”.
Në dëshminë e tij, James Rubin pohoi se Qeveria Serbe kishte përpjekur të mbulojë krimet e saj dhe të fajësojë UÇK-në për veprime që nuk i kishte bërë. Ai tha se forcat serbe ishin përpjekur të fshehin provat e krimeve për të shmangur llogaridhënien para Tribunalit të Hagës pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
“Qeveria Serbe gjithmonë ka tentuar të hedhë fajin mbi UÇK-në për krimet e kryera nga vetë ata. Kjo ka qenë një taktike e përdorur edhe në Bosnje, por edhe këtu në Kosovë. Ata e justifikonin dhunën e tyre duke thënë se ata po vepronin për të mbrojtur veten dhe se UÇK-ja ishte shkaktari i gjithçkaje,” tha Rubin. /Telegrafi/