Raporti më i ri ndërkombëtar Gallup Global Safety Report 2025, i publikuar në fillim të muajit shtator, ka renditur Kosovën ndër vendet më të sigurta në botë, duke e pozicionuar të tretën në nivel global dhe të parën në Evropë për ndjenjën e sigurisë së qytetarëve dhe besimin ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit.
Sipas raportit, Kosova ka arritur rezultat 94 pikë nga 100 në Indeksin e Ligjit dhe Rendit, duke u renditur menjëherë pas Taxhikistanit (97 pikë) dhe Singaporit (95 pikë) si tre vendet më të sigurta në botë. Ky rezultat e bën Kosovën vendin më të sigurt në Evropë, duke lënë pas shtete të zhvilluara si Islanda, Norvegjia, Austria dhe Zvicra.
Po ashtu, raporti thekson se 89% e qytetarëve të Kosovës ndihen të sigurt duke ecur vetëm natën në zonën ku jetojnë, përqindje që e vendos Kosovën në mesin e vendeve me nivelin më të lartë të perceptimit të sigurisë në botë dhe në Evropë.
Rreth të dhënave të raportit është deklaruar edhe Policia e Kosovës.
Në një komunikatë policia thotë se këto rezultate janë të lidhura ngushtë edhe me përkrahjen e vazhdueshme që ajo gëzon nga institucionet vendore dhe partnerët strategjikë ndërkombëtarë si dhe falë bashkëpunimit të ngushtë me institucionet tjera të sigurisë, të cilat së bashku krijojnë një sistem gjithëpërfshirës për garantimin e rendit dhe sigurisë në vend.
“Ky vlerësim ndërkombëtar është një dëshmi e qartë e përkushtimit të Policisë së Kosovës në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, forcimin e bashkëpunimit e partneritetit me komunitetin dhe rritjen e besimit të qytetarëve në Policinë e Kosovës”.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e jetës dhe pronës, ofrimin e sigurisë dhe shërbim sa më profesional, efektiv dhe llogaridhënës për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në njoftimin e saj, transmeton Klankosova.tv.
The post “Dëshmi e përkushtimit”, thotë policia pasi Kosova u radhit e para për siguri në Evropë appeared first on Klan Kosova.