Deputetes holandeze Esther Ouwehand iu kërkua të largohej nga një seancë e Dhomës së Përfaqësuesve për shkak se mbante veshur një bluzë me ngjyrat e flamurit palestinez, duke shkaktuar një incident që ilustron qartë përçarjet në rritje në Evropë mbi luftën në Gaza, raporton Roya News.
Përplasja ndodhi gjatë një debati për buxhetin, kur kryetari i parlamentit, Martin Bosma, një anëtar i Partisë për Liri të ekstremit të djathtë, tha se veshja e deputetes Ouwehand shkelte rregullin e neutralitetit politik në sallë.
Megjithëse fillimisht hezitoi, Bosma, për shkak të kundërshtimeve nga udhëheqësit e partive të tjera, e zbatoi rregullin dhe i kërkoi deputetes të largohej nga salla.
Ouwehand fillimisht rezistoi, por përfundimisht u largua vullnetarisht në shenjë proteste.
Mungesa e saj, megjithatë, nuk zgjati shumë.
Ajo u kthye shpejt në parlament, por këtë herë e veshur me një bluzë me model shalqiri.
Shalqiri, për shkak të ngjyrave të tij që përputhen me ngjyrat e flamurit palestinez, është bërë një simbol i solidaritetit me Palestinën i njohur globalisht.
Këtë herë, deputetes iu lejua të vazhdonte fjalimin e saj dhe të paraqiste propozimet e saj pa kundërshtime.
Pamjet e incidentit, përfshirë kthimin e saj simbolik, u përhapën shpejt në rrjete sociale.
Ndërsa mbështetësit e quajtën lëvizjen e saj një akt “të guximshëm” të rezistencës paqësore, kritikët e panë atë si provë të mëtejshme të përçarjeve të thella që lufta ka shkaktuar në shoqëritë evropiane.
Ouwehand më vonë sqaroi se donte të përdorte rrobat e saj për të shprehur solidaritet me palestinezët dhe për të dënuar atë që ajo e quajti “gjenocid” në Gaza.
“Kur qeveria refuzon të njohë gjenocidin dhe refuzontë veprojë, është detyra jonë të vazhdojmë të tregojmë solidaritet me palestinezët. Palestinën e lirë”, tha ajo. /Telegrafi/