Në tubimin e Partisë Demokratike të Kosovës që është mbajtur në Lubizhdë të Prizrenit, me banorët e këtij fshati si dhe të Gërnçarit dhe Skorobishtit, mori pjesë edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, njëherësh kryetare e partisë Bashkimi Socialdemokrat.
Duke folur para të pranishmëve, Balje theksoi bashkëpunimin e ngushtë dhe korrekt me kryetarin aktual të Prizrenit.
“Këtu jam sot jo për të folur shumë për punët që i ka bërë Shaqir Totaj me ekipin e tij, më shumë jam këtu për të treguar pse kam vendosur ta përkrah Shaqir Totajn. Së pari më duhet ta them se Shaqir Totaj është një ‘jaran’. ‘Jaran’ për neve boshnjakët… Unë me këtë ekip ndihem si në ekipin tim. Nuk kam problem të thërras ditë e natë, kur ka ndonjë ide, ndonjë problem, për konsultim apo për kritika, dhe gjithmonë kam gjetur ‘teamwork’. Kjo është më e rëndësishmja. Jam shumë e sigurt se Shaqir Totaj është një shok i madh i boshnjakëve në Komunën e Prizrenit”, tha ajo.
Në fund, deputetja Balje bëri apel “Dua t’iu jap një këshillë: vërtetë duhet ta përkrahni Shaqir Totajn, sepse ne kemi vendosur publikisht ta përkrahim! Bravo!”.
Në këtë tubim qytetarët u njoftuan për vizionin dhe projektet e Shaqir Totajt.