Deputeti serb: E çka “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”? Kjo është fantazi e qeverisë për gjenocid

Deputeti serb: E çka “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”? Kjo është fantazi e qeverisë për gjenocid

A e financon regjimi apo vetëm i mbron muralet me mbishkrimin “Kur të kthehet ushtria në Kosovë…” që janë shfaqur kudo në Serbi? Dhe çfarë kuptimi mbart kjo parullë? Deutsche Welle (DW) ka hulumtuar këtë betejë për simbolet dhe muralet.

Fillimisht, inxhinieri i ndërtimit Danijel Dashiq publikoi në rrjetin X se gjoja institucioni shtetëror i auditimit (DRI) kishte zbuluar se Ministria e Ndërtimit, me porosi të SNS, kishte paguar 217 mijë euro për vizatimin e muraleve “Kur të kthehet ushtria në Kosovë…”.

Megjithatë, një zë i tillë nuk figuron askund në raportet e DRI, dhe institucioni vetë e demantoi menjëherë këtë pretendim, shkruan DW në gjuhën serbokroate, transmeton Klankosova.tv.

Në rrjetet sociale, grupi kryesor i tifozëve të “Crvena Zvezdës” deklaroi se ata vetë i kanë pikturuar shumicën e grafiteve, me shpenzimet e tyre. Ata shtuan se grafitin e parë e kishin shkruar tifozët e Partizanit dhe se kjo është një “çështje serbe” mbi ndarjet e tjera. Sipas tyre, fjalët e një kënge popullore kanë për qëllim “të mbajnë gjallë shpirtin kombëtar dhe besimin në çlirim”.

DW kontaktoi Dashiqin për burimin e informacionit. Ai tha se e kishte marrë me “shumë detaje të sakta”, por shtoi se aktualisht nuk mund të provohet si projekt shtetëror. “Në faqen e Ministrisë, projektet e fundit të mbështetura datojnë nga viti 2019. Dhe e dimë se shteti di edhe të fshehë dokumente kur është e nevojshme”, tha ai, shkruan Klankosova.tv.

Megjithatë, Dashiq beson se muralet lindin në “bashkëpunim të ngushtë me shtetin”, duke pasur parasysh shpenzimet e mëdha dhe faktin se disa prej tyre janë realizuar në vende ku “është e pamundur pa ndihmën e autoriteteve”. Ai solli shembullin e muralit në autostradën afër Çuprijës, ku një mur mbajtës gati 100 metra u përdor për vizatimin. “Ky punim është i pamundur pa pjesëmarrjen e Shërbimit të Rrugëve të Serbisë”, shtoi ai.

Lavdërimi i militarizmit

Kur u shfaq murali i parë me parullën “Kur të kthehet ushtria në Kosovë…” në pranverë të vitit 2023, organizata joqeveritare “Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut” (YIHR), me mbështetjen e organizatës “Krokodil”, vendosi ta mbulonte me ngjyrë të bardhë. Për këtë akt, anëtarët e saj morën disa kallëzime nga policia.

Ognjen Qiriq nga kjo organizatë i tha DW-së se muri u shfaq gjatë negociatave për marrëveshjen e Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe se i parapriu “fushata e madhe verore” që çoi drejt sulmit të armatosur në Banjskë dhe “përkeqësimit” të pozitës së serbëve në Kosovë.

Sipas tij, murale të tilla janë “gjuhë urrejtjeje” që promovojnë militarizmin, synojnë popuj të tjerë – veçanërisht shqiptarët dhe boshnjakët – dhe mohojnë apo justifikojnë krimet. “Këto janë thirrje për mobilizim lufte”, theksoi ai.

“Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dëgjuam zyrtarë të Serbisë të thonë se nuk duan ta kthejnë Serbinë në llogore. Nëse është kështu, përse ende ndotet hapësira publike me mesazhe që glorifikojnë luftën dhe shkatërrimin?”, pyeti Qiriq.

Ku shkon fantazia

Sipas tij, parullat i shërbejnë regjimit për të ushqyer narrativën nacionaliste dhe për të shmangur ballafaqimin me të kaluarën. Ato janë mesazhe për qytetarët e Serbisë, për viktimat e rajonit – se krimet ndaj tyre nuk njihen – dhe për bashkësinë ndërkombëtare, si shenjë e një politike që mohon përgjegjësinë.

Rastisllav Diniq, deputet i Frontit të Gjelbër e të Majtë në Kuvendin e Serbisë dhe pedagog në Fakultetin Filozofik të Nishit, thotë se më pak ka rëndësi kush i paguan muralet dhe më shumë se çfarë përfaqësojnë. “Në fund ka tri pika – çfarë nënkupton kjo fantazi? Çfarë ndodh kur ushtria të kthehet në Kosovë? Sipas autorëve, ushtria duhet të kthehet dhe të dëbojë shqiptarët nga Kosova”, tha ai.

“Kjo është një fantazi e tmerrshme, në fakt fantazi për gjenocid, një fantazi për një ‘Gazë serbe’”, shtoi Diniq. “Këtë po na thotë kjo qeveri, këtë po na thotë ‘Delije’, këtë do të duhej të bëjë Serbia”.

Truket nga vitet ’90

Diniq beson se qeveria e Alleksandar Vuçiqit, në momente “krize të legjitimitetit të saj”, po kërkon një lloj infuzioni. Dhe ata e gjejnë atë në recetat e viteve 1990, duke provokuar tensione ndëretnike.

Një shembull, shton ai, është shfaqja e “kriminelëve” nga lufta e mëparshme në kampin e mbështetësve të qeverisë në Parkun “Pionirski” të Beogradit.

“E gjithë Serbia tani i shërben aparatit që përfitoi nga ato vite. Kjo lëvizje proteste po kërcënon ta çmontojë seriozisht atë aparat për herë të parë”, beson ai.

Si prova të mëtejshme, ai sheh pretendimet se Millan Radoiçiq, “zoti joformal i veriut të Kosovës” dhe një njeri në listën e të kërkuarve, u shfaq së fundmi në Kosjeriq. Ai dyshohet se kërcënoi njerëzit që kundërshtojnë regjimin në Serbinë perëndimore. Diniq gjithashtu i sheh tifozët e organizuar të “Zvezdës” si “një post të departamentit të parapolicisë së regjimit”.

“Njerëzit që shkruajnë grafite janë ndoshta të njëjtët njerëz që janë në protesta, të tatuazhuar, ‘billdera’, ndonjëherë të maskuar si oficerë policie, ndonjëherë jo, duke sulmuar studentët dhe qytetarët rebelë”.

Diniq gjithashtu thekson se lufta për simbolet është duke vazhduar. Siç thotë ai, qeveria nuk është më e vetmja që mund të përcaktojë se çfarë do të thotë flamuri serb, kush është një serb i mirë dhe çfarë është patriotizmi. “Një nga fitoret më të mëdha të kësaj proteste është se studentët dhe qytetarët rebelë arritën të kapnin simbolin e flamurit serb. Tani është një simbol i një Serbie demokratike rebele, një simbol i pajtimit midis serbëve dhe boshnjakëve”.

Si e shohin serbët nga Kosova mesazhin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë…”? Ata kanë çështje më urgjente dhe shqetësime më të mëdha, na thotë Stefan Velkoviq, një politikan nga Partia Demokracia Serbe në Mitrovicën e Veriut.

“Ekzistenca dhe të drejtat tona themelore janë të kërcënuara si kurrë më parë. Askush këtu nuk mendon se këto murale u drejtohen atyre. Është një mesazh për elektoratin në Serbi, si një shpresë e rreme që supozohet të zgjojë frymën nacionaliste”, thotë ai.

Në realitet, shton ai, serbët janë “lënë në mëshirën” e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. /DW/Klankosova.tv

The post Deputeti serb: E çka “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”? Kjo është fantazi e qeverisë për gjenocid appeared first on Klan Kosova.