Gazetarja e Klan Kosova, Arbreshë Uka, ka përcjellë gjatë ditës së sotme zhvillimet në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Derisa deputetët po dilnin nga salla, pasi kryesuesi Avni Dehari mbylli punimet për ditën e sotme, gazetarët ishin mbledhur në hollin e Kuvendit për të marrë prononcimet e tyre.
Në mesin e pyetjeve që gazetarja Uka ua bënte deputetëve, si të atyre të ish-opozitës, ashtu edhe të partisë që doli e para në zgjedhjet parlamentare, ishte edhe ajo për kthimin e pagave për seancat që Gjykata Kushtetuese i cilësoi të pavlefshme.
Uka pyeti deputeten e LDK-së, Hykmete Bajrami, atë të AAK-së, Time Kadrijaj, dhe që të dyja kthyen përgjigje.
Bajrami madje tha se nëse merret vendim që duhen kthyer, ajo është e gatshme ta bëjë atë veprim.
E Kadrijaj tha duhet të sanksionohen ata që e kanë shkelur Kushtetutën, duke iu referuar GP të LVV-së.
Ndërkaq, në pyetjen që gazetarja e Klan Kosova ia bëri deputetit të LVV-së Hekuran Murati, në lidhje me ndryshimin e emrave për kryetar të Kuvendit, ai pati këtë koment:
“Po besoj që ju nuk jeni përfaqësues të opozitës që po insistoni në debat. Jo, ju nuk jeni qytetarë, ju jeni gazetarë”.
Tutje, ai kërkoi nga gazetarja Uka që të identifikohet dhe të tregojë se nga cili medium vjen.
“Prej cilit medium jeni? Prej cilit medium? Prej cilit medium jeni? Jo, duhet të prezantoheni prej cilit medium. Nuk po ju njoh! Mirë kish me qenë kushdo që e merr fjalën me ba pyetje, me u prezantu prej cilit medium është”, u shpreh Murati gjatë adresimit të tij për media, kur u përball me pyetje nga gazetarja Arbreshë Uka.
Murati vazhdoi të pranojë pyetje nga gazetarët tjerë, të cilëve nuk u kërkoi të identifikohen.
Gazetarja Uka i parashtroi pyetje deputetit Murati edhe për çështjen e kthimit të pagave për seancat e pavlefshme, por ky i fundit e injoroi në tërësi, duke mos i kthyer përgjigje në asnjë prej pyetjeve të parashtruara.
Situatë e ngjashme ndodhi edhe me deputetin tjetër të Grupit Parlamentar të LVV-së, Faton Peci. Ai madje tentoi t’i mbante leksione gazetares se si duhet të sillet.
“Një element tjetër që duhet pashmangshëm me u pa, pashë, dëgjova këtu një gazetare këtu që shumë e ngritke zanin. Nuk e di se cila është ajo [këtu, gazetarja Uka i tregon se ishte pikërisht ajo]. Nuk e di a ke ngrit zanin karshi partive opozitare me i pyet se pse morën pjesë sot në procesin e votimit [gazetarja Uka i përgjigjet, duke i thënë se përkundrazi, opozitën e kam sfiduar edhe më shumë]. Veç ta përfundoj… Unë u paraqita vullnetar me të ndihmu, kështu që ki pak mirësi… s’e kam përfundu ende fjalimin, dhe besoj që një gazetare që në radhë të parë ka edukatë dhe profesionalizëm nuk bën ndërhyrje të tilla derisa unë nuk e përfundoj adresimin fillestar”, u shpreh Peci, duke iu drejtuar gazetares Uka.
Kjo nuk është hera e parë që gazetarja Uka ka pasur polemika me pushtetin në detyrë. Para pak kohësh, derisa e njëjta po e përcillte një ngjarje në QKUK, i parashtroi pyetje ministrit në detyrë, Arben Vitia, për mungesën e barit albumina.
Këtu pati ndërhyrë kryeministri në detyrë Albin Kurti, duke mos pranuar të japë përgjigje e as të marrë përgjegjësi mbi mungesën e barnave.
Kurti në QKUK: Pyetet për barna, s’ka përgjigje – zihet me gazetare (VIDEO)
The post Deputetët e LVV-së, Murati e Peci, e injorojnë dhe “i mbajnë leksione” gazetares së Klan Kosova appeared first on Klan Kosova.