Për më shumë se një vit, një edukatore nga një qytet perëndimor i Kosovës nuk ka dhënë mësim në çerdhe.
Ditët i kalon në shtëpi, duke pritur se kur do të kthehet aty ku thotë se e ndien veten të plotësuar.
Aty ku dikur gëzonte me zërin e fëmijëve, sot vendin e kanë zëvendësuar dosjet gjyqësore dhe përballjet me policinë.
Drejtimi i saj tashmë është shtëpia dhe spitali psikiatrik.
Por punë po i del vazhdimisht edhe me policinë e Drejtorinë e Arsimit.
34-vjeçarja thotë se problemet nisën në periudhën më të ndjeshme të jetës së saj, gjatë shtatzënisë dhe më pas depresionit postnatal.
Problemet, sipas saj, filluan në vitin 2020, kur Drejtoria e Arsimit e thirri në punë, ndonëse ndodhej në muajin e tetë të shtatzënisë.
Pas lindjes së djalit, në mars të vitit 2021, ajo u rikthye në punë vetëm gjashtë muaj më vonë, ndonëse, siç thotë, vuante nga depresioni që e kishte pasuar lindjen.
Nga frika se mund të humbiste vendin e punës si edukatore me përvojë mbi katër vjet, u detyrua të vazhdonte punën në gjendje të dobët fizike dhe emocionale.
Në atë gjendje, thotë se e vazhdoi punën dhe gjendja emocionale e psikike sa vinte e rëndohej.
Ajo thotë se përgjegjësja dhe koleget e çerdhes e kishin akuzuar se kishte sjellje agresive me fëmijët dhe stafin.
Por edukatorja i mohon këto akuza, të cilat i quan të pavërteta.
Megjithatë, ajo e kishte vazhduar trajtimin te psikiatrja, ndonëse shkëputjet nga puna ishin të shpeshta.
Në prill të vitit 2024, një incident i raportuar nga stafi i çerdhes shënoi përshkallëzimin e situatës.
Vetëm pak ditë më vonë, dy edukatore të tjera thanë se ishin sulmuar fizikisht nga ajo.
34-vjeçarja e mohon kategorikisht dhe i quan të gjitha inskenime.
Asaj, thotë se iu kërkua të mos paraqitej në institucionet edukative deri më 1 shtator të atij viti dhe kjo, sipas saj, ishte kulmi.
Me atë udhë, mori rrugën për te Drejtoria e Arsimit për të kërkuar llogari ndaj kësaj kërkese, të cilën e vlerëson si të padrejtë.
Mirëpo, thotë se aty nuk i lejohej të hynte, duke u cilësuar si “rrezik për Drejtorinë e Arsimit”.
Aty u përball edhe me policinë.
Situata e rëndoi shëndetin e saj dhe urgjenca e dërgoi fillimisht në psikiatrinë e qytetit të saj, e më pas në atë të Prishtinës, ku qëndroi katër ditë nën trajtim të detyruar.
Sipas saj, aty u trajtua si “e çmendur” dhe mjekët rekomanduan edhe lidhjen me duar e këmbë, masë që nuk u zbatua.
Ajo mohon akuzat për agresivitet dhe ngul këmbë se e gjithë historia është presion institucional për ta shpallur të paaftë për punë.
The post Depresioni pas lindjes, edukatorja përfundon në Psikiatri (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.