Monday, February 9, 2026
spot_img
HomeLajmeDënohet me 6 vjet burgim në Iran fituesja e Nobelit për Paqen...

Dënohet me 6 vjet burgim në Iran fituesja e Nobelit për Paqen në vitin 2023, Narges Mohammadi

Narges Mohammadi, fituese e Çmimit Nobel për Paqen në vitin 2023, është dënuar me gjashtë vite burg në Iran.

Lajmi u bë i ditur nga avokati i aktivistes për të drejtat e njeriut.

Ditët e fundit, Mohammadi kishte nisur një grevë urie në burgun iranian ku mbahet e ndaluar, si formë proteste kundër asaj që ajo e konsideron një ndalim të paligjshëm.

Avokati i saj, Mostafa Nili, deklaroi për AFP se dënimi me gjashtë vite burg është dhënë nga një gjykatë iraniane. Akuza ndaj aktivistes, sipas tij, është “bashkim dhe bashkëpunim për kryerjen e veprave penale”, një formulim që në praktikë nënkupton akuzë për komplot.

Përveç dënimit me burg, vendimi parashikon edhe ndalim daljeje nga vendi për një periudhë dyvjeçare. Avokati shtoi se fituesja e Nobelit ka marrë gjithashtu një dënim shtesë prej një viti e gjysmë burg për aktivitet propagandistik, si dhe detyrim që për dy vite të qëndrojë në qytetin Khosf, në provincën lindore të Jugut Khorasan.

Narges Mohammadi u arrestua më 12 dhjetor 2025, gjatë ceremonisë mortore të Khosrow Alikordit, një avokat i angazhuar për të drejtat e njeriut, i cili u gjet i vdekur në rrethana të dyshimta. Javët e fundit, aktivistja është mbajtur në izolim në burgun e Mashhadit.

Në burg, disa ditë më parë, Mohammadi nisi grevën e urisë për të protestuar kundër ndalimit të saj, që e cilëson të paligjshëm. Ajo kërkonte kushte më të mira paraburgimi, të drejtën për të komunikuar me telefon, për të takuar avokatët e saj dhe për të pranuar vizita.

Edhe në të kaluarën, Mohammadi ka kaluar periudha të gjata në burg. Ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqen për luftën e saj mbi 20-vjeçare për të drejtat e njeriut, veçanërisht për të drejtat e grave.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimit në Oslo, Nobelin e tërhoqën fëmijët e saj binjakë, Kiana dhe Ali Rahman, atëherë 17 vjeç. Ata lexuan mesazhin që nëna e tyre kishte nxjerrë fshehurazi nga burgu i Evin-it: “Populli iranian, me këmbëngulje, do ta kapërcejë represionin dhe autoritarizmin. Mos dyshoni, kjo është e sigurt.” 

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT