Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka mirëpritur shpalljen e aktgjykimit dënues nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila e shpalli fajtor të akuzuarin Murat Dernjani për krime kundër njerëzimit, përkatësisht për dhunim dhe skllavëri seksuale ndaj grave dhe vajzave të mitura të komunitetit jazid në Siri dhe Irak, i cili u dënua me 20 vjet burgim.
QKRMT thotë se ky aktgjykim përfaqëson një precedent të rëndësishëm jo vetëm për sistemin e drejtësisë në Kosovë, por edhe në nivel ndërkombëtar, pasi siç thotë kjo qendër, ky është rasti i parë i këtij lloji në vend dhe më gjerë, ku një shtetas lokal mbahet përgjegjës për krime të tilla të rënda të ndodhura jashtë territorit të vendit.
Qendra, përmes një komunikate të lëshuar thotë se ky vendim përforcon standardet ndërkombëtare të ndjekjes penale për dhunën seksuale në konflikt dhe dërgon një mesazh të qartë se: krimet kundër njerëzimit nuk do të mbesin të pandëshkuara, pavarësisht kohës, vendndodhjes apo kombësisë së kryerësve.
QKRMT po ashtu vlerësoi lartë angazhimin dhe profesionalizmin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, “e cila me përkushtim ndoqi një rast me kompleksitet të lartë ndërkombëtar dhe i mundësoi viktimave të përjetuara të kenë qasje në drejtësi. Gjithashtu, përgëzojmë Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, për garantimin e kushteve të sigurta dhe dinjitoze që u mundësuan viktimave për të dëshmuar përmes video-lidhjes, duke siguruar një proces të ndjeshëm ndaj traumës dhe që reflekton parimet e drejtësisë tranzicionale”.
Ajo shton se vendimi është dëshmi e përparimit të drejtësisë penale në Kosovë dhe një hap i rëndësishëm drejt përgjegjësisë për dhunën seksuale të përdorur si armë lufte.
“QKRMT ka një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të thellë me gratë jazide që kanë mbijetuar dhunën seksuale në Siri dhe Irak, dhe në këtë rrugëtim, jemi krenarë që jemi pjesë e SEMA Network – Rrjetit Global të Viktimave dhe të Mbijetuarve për t’i dhënë fund Dhunës Seksuale në Konflikt, duke kontribuar në përpjekjet ndërkombëtare për drejtësi, riparim dhe mos-përsëritje”, thuhet tutje në njoftim.
The post Dënimi për krimet ndaj grave dhe të miturave në Siri e Irak mirëpritet në Kosovë appeared first on Klan Kosova.