Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, J.V, D.V dhe I.D, për sulmin terrorist të 29 nëntorit 2024, në kanalin e Ibër -Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.
Në dosjen e PSRK-së, thuhet se grupi i dyshuar, njëri prej të cilëve kolonel serb, i rekrutuar nga Shërbimi Informativ i këtij shteti, akuzohet për veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Spiunazh” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
J.V., dhe D.V., së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, kanë vendosur eksploziv (rreth 20 kilogram të llojit Trinitrotoluene “TNT”) në brendësi të kanalit, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit, “Ibër Lepenc”, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm dhe është rrezikuar prodhimi i energjisë dhe ndërmarrjes.
Dy të pandehurit akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje, së bashku edhe me të akuzuarin tjetër I.D.
Dëm i shkaktuar është vlerësuar të jetë 376 mijë e 774.70 euro.
Çfarë dënime parashihen në Kodin Penal të Kosovës lidhur me këto vepra?
Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike
“Kushdo që me qëllim të rrezikimit të rendit kushtetues apo sigurisë së Republikës së Kosovës, djeg ose në çfarëdo mënyre tjetër shkatërron apo dëmton zonën industriale, bujqësore ose ndonjë zonë tjetër ekonomike, sistemin e trafikut, lidhjet e telekomunikimeve, pajisjet publike të ujit, ngrohjes, gazit apo energjisë, pendat, depot, apo ndonjë ndërtesë tjetër të rëndësishme për sigurinë, furnizimin e qytetarëve, ekonominë apo funksionimin e shërbimeve publike, dënohet me jo më pak se tre (3) vjet burgim”, thuhet në Kodin Penal të Kosovës transmeton Klankosova.tv.
Kryerja e veprës terroriste
Kushdo që kryen një vepër terroriste dënohet me jo më pak se pesë (5) vjet burgim.
Kur vepra nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me lëndime të rënda trupore të një apo më shumë personave, kryesi dënohet me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim.
Kur vepra nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me vdekje të një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim së paku pesëmbëdhjetë (15) vjet ose me burgim të përjetshëm.
Spiunazhi
1. Kushdo që sekretin shtetëror ia komunikon, ia dorëzon apo ia bënë të arritshme shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre, dënohet me burgim prej pesë (5) deri në dymbëdhjetë (12) vjet burgim.
2. Kushdo që për shtetin apo organizatën e huaj krijon shërbimin informativ në Republikën e Kosovës apo drejton shërbimin e tillë, dënohet me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim.
3. Kushdo që hyn në shërbimin informativ të huaj, mbledh të dhëna për të apo në ndonjë mënyrë tjetër e ndihmon punën e shërbimit të tillë, dënohet me jo më pak se pesë (5) vjet burgim.
4. Kushdo që mbledh të dhëna apo dokumente të klasifikuara me qëllim që t’ia komunikojë dhe dorëzojë shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre, dënohet me burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.
5. Nëse kryerja e veprës penale nga paragrafët 1., 2., 3. ose 4. i këtij neni ka shkaktuar pasoja të rënda për sigurinë ose fuqinë ekonomike apo ushtarake të shtetit, kryesi dënohet me burgim jo më pak se dhjetë (10) vjet.
6. Nëse vepra penale e saktësuar në paragrafin 1., 2., 3. ose 4. të këtij neni kryhet gjatë kohës së luftës, rrezikut të pashmangshëm për luftë, konfliktit të armatosur apo zbulimi i sekretit shtetëror ka të bëjë me sigurinë e Republikës së Kosovës, kryesi dënohet me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.
7. Për qëllime të këtij kapitulli, “sekret shtetëror” nënkupton të dhënat apo dokumentet ushtarake, ekonomike apo zyrtare të cilat janë shpallur si informata të klasifikuara me ligj apo me dispozita ose vendime tjera të organit kompetent të nxjerra në pajtim me ligjin.
Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve
1. Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.
2. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni përfshin më shumë se katër (4) armë ose më shumë se katërqind (400) fishekë, kryesi dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet.
3. Arma në pronësi, kontroll apo posedim në kundërshtim të këtij neni konfiskohet.
Aktakuzë ndaj grupit kriminal për sulmin në kanalin e “Ibër Lepencit”


