Dëmtohen varrezat e periudhës osmane në Pejë, reagon BIK-u

Dëmtohen varrezat e periudhës osmane në Pejë, reagon BIK-u

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) është njoftuar nga banorët e fshatit Rekë të Allagës, të komunës së Pejës, se në lagjet Pecaj dhe Hokaj dje janë demoluar me ekskavator varrezat dhe gurët mbivarrorë (nishanet) të periudhës osmane, të vjetra mbi 200 vjet.

Në reagimin e saj, BIK thotë se pavarësisht motiveve, “ky akt paraqet një vandalizëm të papranueshëm dhe të pariparueshëm, një sulm të drejtpërdrejtë ndaj kulturës dhe trashëgimisë sonë shekullore”.

“Përveç dëmit material dhe shpirtëror, ky veprim synon të nxisë tensione ndërfetare dhe të cenojë harmoninë tradicionale që ka karakterizuar kombin dhe shoqërinë tonë ndër breza”, u tha në reagimin e BIK-ut.

Sipas Bashkësisë Islame, veprime të tilla vandale bien ndesh me vlerat themelore të shoqërisë kosovare dhe përfaqësojnë mendësi që prodhon urrejtje, mosdurim dhe përçarje.

Ndonëse nuk kanë treguar se kush janë kryerësit e kësaj vepre, BIK thotë se “autorët e këtij akti të ulët veprojnë si instrumente të agjendave anti-shqiptare dhe anti-kosovare, të cilat nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe të civilizuar”.

BIK kërkoi nga institucionet kompetente që me urgjencë të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e trashëgimisë sonë historike.

“Po ashtu, kërkojmë që gurët mbivarrorë të rikthehen në vendin e tyre të mëparshëm dhe të restaurohen sipas standardeve të trashëgimisë kulturore, ndërsa autorët e këtij akti të dalin sa më parë para drejtësisë”, u tha në reagimin e kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës. /Klankosova.tv

The post Dëmtohen varrezat e periudhës osmane në Pejë, reagon BIK-u appeared first on Klan Kosova.