Procesi i votimit për zgjedhjet lokale në Kosovë është zhvilluar në përgjithësi në atmosferë të qetë dhe demokratike – kështu ka vlerësuar rrjeti “Demokracia në Veprim” (DnV), pas përfundimit të procesit të votimit.
Sipas raportit të ekipeve mobile të vëzhguesve të DnV-së, të cilët kanë monitoruar ecurinë e ditës zgjedhore në 150 qendra votimi, qytetarët kanë treguar sjellje të pjekur dhe kanë kontribuar në një proces zgjedhor me standarde demokratike.
Megjithatë, organizata ka evidentuar disa parregullsi në terren. Sipas saj, një nga dukuritë më të përhapura ka qenë votimi me asistencë, kryesisht në mesin e grave dhe të rinjve, ku shumë raste nuk janë shënuar fare në Librin e Votimit.
Po ashtu, ndërrimi i qendrave të votimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për një numër të konsiderueshëm votuesish ka shkaktuar telashe serioze, duke bërë që shumë qytetarë të mos mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, pasi emrat e tyre nuk janë gjetur në listat e votuesve.
DnV ka theksuar edhe mungesën e tavolinave ndihmëse në disa qendra votimi, si dhe praninë e materialeve promovuese – posterë e kartëvizita – brenda perimetrit prej 100 metrash nga vendvotimet. Në disa komuna është raportuar edhe për raste të votimit të organizuar në grup.
Në prag të fillimit të procesit të numërimit të votave, “Demokracia në Veprim” ka bërë apel që komisionerët të vazhdojnë me të njëjtin përkushtim dhe profesionalizëm, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi.
Organizata u ka bërë thirrje gjithashtu subjekteve politike dhe përfaqësuesve të tyre që të presin me qetësi rezultatet zyrtare të zgjedhjeve dhe të tregojnë përgjegjësi politike e qytetare.