Tuesday, January 27, 2026
spot_img
HomeLajmeDema nga “Hibrid”: Grupet serbe në “Telegram”, si mjet për rrënim të...

Dema nga “Hibrid”: Grupet serbe në “Telegram”, si mjet për rrënim të institucioneve të Kosovës (VIDEO)

Të hënën mbrëma, Kiks Kosova ka dëshmuar me fakte se struktura të “shërbimeve sekrete” serbe, të mirëorganizuara, kontrollojnë, linçojnë dhe kërcënojnë në grupet e tyre në internet shqiptarët që shkojnë në veri.

Në këtë hulumtim u pa qartë se si u publikuan dhe u kërcënuan pjesëtarë të AKI-së, Policisë së Kosovës dhe gazetarë, ndërsa edhe thirrjet për luftë ishin të pranishme.

Vëzhgim aty bëhej ndaj kujtdo që lëviz, qoftë nga këta persona apo edhe kamerat e paligjshme të vendosura nëpër veri të Kosovës.

Grupet serbe në platformën ruse “Telegram” vazhdojnë të shpërndajnë përmbajtje propagandistike kundër shtetit të Kosovës dhe institucioneve të sigurisë, duke shtrembëruar ngjarje të ndryshme, veçanërisht ato që ndodhin në veri të vendit.

Sipas Fatbardh Demës, kontrollues i fakteve në platformën “Hibrid.info”, këto grupe po e vazhdojnë të njëjtën narrativë duke e paraqitur Policinë e Kosovës si terroriste dhe duke pretenduar për persekutim të serbëve.

Ai shton se këto grupe janë aktive sidomos në data simbolike, si përvjetori i masakrës së Reçakut, kur publikohen përmbajtje të rreme dhe kontradiktore.

Dema vlerëson se Telegrami mbetet një nga platformat më problematike për t’u monitoruar dhe kontrolluar, jo vetëm në Kosovë, por edhe globalisht.

Sipas tij, institucionet vendore ka gjasa të jenë në dijeni për këto aktivitete.

Qëllimi kryesor i këtyre grupeve, sipas Demës, është nxitja e urrejtjes ndëretnike dhe delegjitimimi i institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Ai thekson se edhe pse është e vështirë të zbulohet burimi i saktë i informacionit në “Telegram”, mund të ndiqet zinxhiri i shpërndarjes për të identifikuar narrativën fillestare, e cila shpesh ka origjinë ruse.

“E gjithë kjo skemë e krijuar kundër Republikës së Kosovës, e cila po kërcënon hapur përmes këtyre personave të armatosur e të rrezikshëm, do duhej të zgjonte interesin institucional për hetim ndaj saj”, thotë Kiks Kosova. /Klankosova.tv

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT