Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar opinionin publik se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve F.P., dhe B.B., për shkak se ekziston dyshim i bazuar mirë se të pandehurit në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale ‘’Dokumente të rrejshme lidhur me Tatimin’’ nga neni 308, paragrafi 1,2 dhe 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i shtetit pas zhvillimit të procedurës hetimore, ka marrë aktvendim për pushimin e pjesshëm të hetimeve ndaj të pandehurve: A.P., A.R., A.J., G.GJ., M.Z., M.B., M.R., M.Z., N.B., S.T., V.K., XH.H., I.L., B.B., si dhe F.P. për veprat penale ‘’Shmangia nga tatimi ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ ‘’Mashtrimi në detyrë’’ dhe ‘’Shmangia nga tatimi’’ sipas nenit 419, 414, 284, 307 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri F.P., gjatë muajve Janar- Mars 2020 në Prizren dhe Prishtinë, në cilësi të pronarit të bisnesit ‘’B.K.,’’AG, me dashje ka përdorur ‘’Dokumentet e rrejshme’’, konkretisht njëzetë e tre (23) fatura fiktive në vlerë të përgjithshme prej tetëmbëdhjetë (18) milionë euro të lëshuara nga biznesi ‘’B.BB’’ sh.p.k., me personin përgjegjës të pandehurin B.B., se kinse ka kryer ndërtimin e hotelit ‘’Lakeside’’ në Vërmicë-Prizren me qëllim të shmangies së pagesës së tatimit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), me ç’rast të dëmtuarës i ka shkaktuar dëme matriale në vlerë prej 3,449,016.61 €.
Poashtu, sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri B.B., gjatë muajve Janar-Mars 2020 në Prishtinë, në cilësi të personit përgjegjës të biznesit ‘’B. BB’’ sh.p.k me dashje dhe me qëllim të mundësimit që biznesi ‘’B.K., AG’’ pronë e të pandehurit F.P., që t’i shmanget pagesës së tatimit në vlerë prej 3, 449,016.61€, i ka lëshuar gjithsej njëzetë e tre (23) fatura fiktive në vlerë të përgjithshme prej tetëmbëdhjetë (18) milionë euro kinse për punët e ndërtimit të hotelit Lakeside në Vërmicë/Prizren edhe pse ndërtimi nuk ishte kryer nga ky biznes, duke i shkaktuar dëm matrial të dëmtuarës Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në vlerë prej 3, 449.016.61€, ndërsa vetë duke i lëshuar këto fatura fiktive i është shmangur pagesës së tatimit në vlerë prej 115,850.31 euro.
Me këto veprime të njëjtit kanë kanë kryer veprën penale ‘’Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin’’ sipas nenit 308 të KPRK-së.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtor dhe te dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftim.
The post Deklaruan rrejshëm për tatimin, aktakuzë ndaj dy personave në Prishtinë appeared first on Klan Kosova.