Deklarata e Shqipe Hysenajt për Parashqevi Simakun ngjall reagime: Elton Ilirjani paralajmëron gjyq

Deklarata e Shqipe Hysenajt për Parashqevi Simakun ngjall reagime: Elton Ilirjani paralajmëron gjyq

Një deklaratë e Shqipe Hysenajt, e bërë dje si e ftuar në Top Albania Radio, ka shkaktuar bujë të madhe dhe reagime të forta në rrjet.

Ajo u shpreh se kishte dëgjuar se Parashqevi Simaku ishte nga ata persona që u merrte burrat njerëzve dhe se për këtë arsye kishte mbetur rrugëve.


Sipas saj, kur ajo ishte në New York, shqiptarët atje flisnin për këtë gjë dhe kjo kishte bërë që këngëtarja të mos kishte më koncerte.

Foto: Elton Ilirjani/InstaStory

Deklarata ka nxitur indinjatë të madhe tek komentuesit, të cilët e kanë cilësuar si ofenduese dhe të papranueshme.

Për këtë çështje ka reaguar publikisht në Instagram Elton Ilirjani, i cili ka qenë afër Parashqevi Simakut që nga momenti që ajo u gjet duke fjetur në rrugë në New York.

Foto: Elton Ilirjani/InstaStory

Ai fillimisht postoi një fotografi të Shqipe Hysenajt me mbishkrimin: “Një kqyqezim për të gjithë shpifësit/thashethemexhinjtë e lagjes dhe të kafeneve”.

Më tej, Ilirjani shkroi: “Parashqevi Simaku është legjenda e muzikës shqiptare. Një nga figurat më të dashura të të gjithë shqiptarëve. Të merresh me llafe dashakeqase apo aq më ulët për klikime është çnjerëzore! Kjo bëhet edhe më e rëndë kur vjen nga ‘ASKUSHËT’!”

Foto: Elton Ilirjani/InstaStory

Në një video të postuar më pas, ai u shpreh: “Më vjen shumë keq që më duhet të flas për këtë, se si mund të kthehet Parashqevia, si mund të ketë një jetë më të mirë, si mund të rregullohet jeta e saj, ndërkohë që duhet të merremi me këto llafazanet e Shqipërisë. Nuk dua të përmend emra. Në këtë rast të Shqipes, të cilën e quaj ‘askush’ dhe ‘llafazane’, si dikush që e do Parashqevinë si nënën e vet është e pamundur të mos flas”.

Ai shtoi se e kishte menduar gjatë dhe kishte vendosur ta çonte rastin në gjykatë: “Nuk do të merrem direkt me këta abuzues. Por do të çoj rastin në gjykatë. Më kanë thënë avokatët e mi në Shqipëri që shpifjet dhe përbaltjet ndiqen në gjykatë. Më duket se ka edhe një ligj të ri që është edhe më i rreptë kundër përbaltjeve dhe shpifjeve dhe në rastin e Parashqevi Simakut, kjo është edhe më e rëndë sepse ajo është në një gjendje të caktuar emocionale, të cilat mund t’i faktoj në gjykatë në Shqipëri”.

Ilirjani u shpreh se në Shqipëri ka njerëz që bëjnë gjithçka për vëmendje: “Janë në gjendje të ecin nëpër njerëz të vdekur, të mos respektojnë ceremonitë mortore, të mos respektojnë asnjë standard njerëzor, këtë e bëjnë sepse janë askushër, nuk kanë talent… Por dua t’u them të kenë kujdes sepse ka ligje dhe rregulla. Nuk mund të dalësh edhe të gënjesh publikisht dhe për klikime të shpifesh”.

Ai e mbylli reagimin duke sfiduar deklaratat: “Në rastin e Parashqevisë, a është ky askushi dhe kjo askushja në gjendje t’i vërtetojnë këto gjëra? Cilat familje i ka prishur Parashqevi Simaku? Cilat burra ka marrë? Dhe cilat gra i ka lënë të vetmuara? Le të dalin t’i thonë publikisht. Edhe sikur t’i kenë thënë, ti duhet t’i vërtetosh. Parashqevi Simaku është ndarë nga skena për arsye të tjera më madhore, për të cilat nuk mund të flas unë. Ajo nuk është larguar nga skena sepse ia ka marrë burrin dikujt”.

Në fund, Ilirjani kërkoi nga ndjekësit që të mos e shajnë Shqipe Hysenajn, pavarësisht fjalëve të saj të ashpra ndaj saj, duke theksuar se qëllimi i tij është të mbrojë dinjitetin e Parashqevi Simakut. /Telegrafi/