Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, kritikoi deklaratën e kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti për Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut. Ai tha se me këtë deklaratë, Kurti “ua bëri zemrën mal anti-shqiptarëve më të mëdhenj”, duke harruar sakrificat e atyre që dhanë jetën për barazinë gjuhësore.
Ahmeti tha se nuk e di nëse Kurti vepron nga “zilia apo strategjia për miq të rinj”, duke përmendur lidhjen e tij me Kristjan Mickoskin. Ai shtoi se shumë anëtarë të Vetëvendosjes nuk pajtohen me qëndrimet e Kurtit dhe se deklaratat e tij për Ligjin e Gjuhëve “kanë zemëruar shqiptarët e Maqedonisë”.
Sipas Ahmetit, duke vënë në dyshim zyrtarizimin e gjuhës shqipe, Kurti “i bëri zemrën mal anti-shqiptarëve” dhe “harroi sakrificat e njerëzve si Afrim Kalanica, që u vra për këtë gjuhë”.
“Por, s’jam hidhëruar që ai mori pjesë në dy fushata këtu me gjithë partinë e tij edhe pse besoj që e gjithë partia e tij nuk pajtohet me qëndrimet e Albin Kurtit sepse e njoh një pjesë të Vetëvendosjes”.
“Kam shokë në Vetëvendosje dhe ata nuk pajtohen me Albin Kurtin, me angazhimet e Albin Kurtit, lëre më që Albin Kurti i ka hidhëruar, irrituar e zemëruar shqiptarët e Maqedonisë me deklaratën e tij që ua bëri zemrën mal anti-shqiptarëve më të mëdhenj dhe nuk e di si i harroi Albin Kurti lotët e nënës së Afrim Kalanicës mbi varrin e djalit në Sllupqan”.
“Afrim Kalanica, djali i ri, është vrarë për këtë gjuhë që e flasin bashkëluftëtarët e tij, që e flasin bashkëkombasit e tij në Maqedoni dhe Albin del e thotë se gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare dhe është kompetente Gjykata Kushtetuese të vendosë mbi Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve”, tha Ahmeti në Klan Kosova.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!