Trajneri i Kombëtares së Spanjës, Luis de la Fuente, ka hedhur poshtë aludimet për tensione me trajnerin e Barcelonës, Hansi Flick, pas listës së fundit të publikuar me lojtarët e ftuar në kombëtare.
Duke folur në një konferencë për shtyp, De la Fuente sqaroi situatën me Flick.
“Isha në shtëpi duke shijuar një ditë të mrekullueshme. Nuk kam asnjë konflikt me Flick. Thjesht u habita nga ato deklarata sepse ai ka qenë trajner i ekipit kombëtar dhe mendova se ai kishte atë empati”, ka thënë fillimisht De La Fuente.
Ai iu drejtua gjithashtu pretendimit të Flick se ekipi kombëtar nuk kujdeset për lojtarët.
“Ai ka qenë trajner dhe e di se si sillemi ne lojtarët. Ajo që më habit është se si një ish-trajner do të shprehej në atë mënyrë. Por kaq është – të gjithë thonë atë që kanë për të thënë”.
Lidhur me Barcelonën dhe situatën me lojtarët e tij, De la Fuente theksoi prioritetet.
“E dini, kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme, që po luftojmë për Kupën e Botës. Duket sikur gjërat e tjera janë në vendin e katërt ose të pestë dhe ne po flasim për Flick. Po luftojmë për Kupën e Botës – kjo është ajo që ka vërtet rëndësi. Pjesa tjetër nuk ka rëndësi. Secili tha atë që kishte për të thënë, dhe kaq”, përfundoi trajneri i La Rojas. /Telegrafi/