Mesfushori i Barcelonës, Frenkie de Jong, ka folur me sinqeritet pas humbjes së rëndë të skuadrës së tij me rezultat 4-1 ndaj Sevillas, duke theksuar se ekipi nuk arriti të japë më të mirën, pavarësisht përmirësimit në pjesën e dytë.
“Kur humb, gjithmonë zhgënjehesh. Në pjesën e parë nuk luajtëm mirë, në pjesën e dytë ishim më mirë, por për fat të keq humbëm”, deklaroi De Jong për mediat e klubit katalanas.
Reprezentuesi holandez vuri në dukje se orari i ngjeshur dhe lodhja fizike kanë ndikuar në paraqitjet e fundit të Barcelonës.
“Mendoj se një pjesë e kësaj është akumulimi i lodhjes. Është ajo që është. Kemi luajtur shtatë ndeshje në 21 ditë, por ndonjëherë ndjekja e topit të lodh më shumë se çdo gjë tjetër”, tha de Jong.
Pas këtij takimi, De Jong do t’i bashkohet përfaqësueses së Holandës për ndeshjet e ardhshme kualifikuese të Kupës së Botës, ndërsa Barcelona do të kërkojë të rikthehet në formën e zakonshme pas rikthimit nga pauza ndërkombëtare. /Telegrafi/