Dauti: Në këto zgjedhje lokale, komunat me 24 këshilltarë shqiptarë më pak

Dauti: Në këto zgjedhje lokale, komunat me 24 këshilltarë shqiptarë më pak

Deputetja e Frontit Evropian, Ilire Dauti, ka reaguar në Facebook duke kujtuar vendimin e Qeverisë për përjashtimin e diasporës nga regjistrimi i popullsisë dhe përfaqësimi politik.

“Sado që Parlamenti i Maqedonisë së Veriut votoi Deklaratën për zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike, zgjedhjet lokale që po vijnë aspak nuk janë të tilla. As të lira, as demokratike nuk mund të jenë ato zgjedhje që, me vendim arbitrar të Qeverisë (në shtator të vitit të kaluar) dhe pa miratimin e Kuvendit, përjashtuan diasporën nga përfaqësimi politik. Kjo është një shkelje e papranueshme dhe kriminale e të drejtave elementare të njeriut dhe e përfaqësimit demokratik dhe nuk mund të mbulohet me asnjë lloj deklarate dhe asnjë lloj miratimi politik. Të drejtat kolektive të shqiptarëve këtu nuk janë mall babe për tregti të askujt në veçanti, por amanet brezash, që mund vetëm të avancohen, jo të shkelen. Guximi i secilit prej jush që në çfarëdo forme ka pasur gisht në këtë padrejtësi, tregon sa pak ose aspak respekt keni për qytetarët që u drejtoheni dhe vërteton edhe një herë se sa të paaftë dhe të pandershëm jemi politikisht ne – shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, shkruan Dauti.


Dauti përmendi dhe komunat ku shqiptarët kanë humbur përfaqësim në këshillin komunal.

“Nga ju që ishit në atë mbledhje të Qeverisë dhe nuk thatë asnjë fjalë, komunat me shumicë shqiptare që sot humbin numër këshilltarësh janë: Zhelina 5 këshilltarë minus, Tearca minus 4, Gostivari minus 8, Struga minus 4, dhe Saraji minus 4 këshilltarë. Të heshtësh përballë padrejtësisë, do të thotë ta pranosh atë”, shkruan Dauti.