Që nga e hëna, kryeqyteti i Kosovës ka nisur të mbushet me tifozë të shumtë të futbollit.
Një ditë para finales së madhe për Kupën e Botës ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, atmosfera ka filluar të ndihet në pjesë të ndryshme të Prishtinës.
Kur kanë mbetur edhe pak kohë nga ndeshja, tifozët nga Kosova dhe Turqia kanë shprehur dëshirat e tyre për rezultatin.
Në një lidhje të drejtpërdrejt për Edicionin Special në Klan Kosova, “Dardanët” janë shprehur të gatshëm ta nderojnë Kombëtaren e tyre, duke shprehur emicionet e mëdha që kanë për ndeshjen historike.
Tifozët nga Kosova kanë dhënë parashikimet e tyre duke thënë se Kombëtarja e drejtuar nga Franco Foda do të fitojë me rezultat 2:1.
“Dardanët” kanë thënë se presin që golat të shënohen nga Vedat Muriqi, Fisnik Asllani, ose edhe Edon Zhegrova.
Kurse, një tifoz nga Turqia ka thënë se beson në fitoren e shtetit të tij, derisa nuk ka lënë pa përmëndur edhe Kombëtaren e Kosovës, duke thënë se ajo ka shumë lojtarë cilësorë.
“Sipas mendimit tim, Turqia do ta fitojë ndeshjen, por do të jetë shumë vështirë. Kosova ka shumë skuadër të mirë, ka lojtarë të mirë si Vedat Muriqi, Fisnik Asllani.”, ka thënë tifozi turk, që bashkë me miq të tij nga Turqia, po kalonin mbrëmjen në një kafene të Prishtinës.
Ai ka thënë se ndodhet në Prishtinë për herë të parë, duke shtuar se shumçka i pëlqen në Kosovë, përderisa, ka përmendur edhe mikëpritjen kosovare dhe raportet e mira mes dy popujve. /Klankosova


