Me pezullimin për një kohë të pacaktuar të Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas ish-Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Daniel Fried, po dëshirojnë ta paralajmërojë Kosovën kundër shenjave të vazhdueshme të autoritarizmit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Fried që shërbeu në këtë pozitë nën administratën e George W. Bush, e për disa muaj edhe në atë të Barack Obama-s, beson se pezullimi i Dialogut Strategjik, është një vendim serioz, por jo i parevokueshëm.
“Asgjë nuk është e përhershme, por pezullimi i Dialogut Strategjik pason frustrimin ndaj qeverisë së kryeministrit Kurti. Është një vendim serioz, por jo i parevokueshëm”.
“Një pjesë e administratës amerikane po paralajmëron kundër shenjave të vazhdueshme të autoritarizmit nga Kurti dhe ndaj qëndrimeve të tij të ashpra kundrejt komunitetit serb në Kosovë”, tha ai në një intervistë për Albanian Post.
Diplomati amerikan, vlerëson se administrata e Trumpit mund të përdorë masa shtesë presioni, si tarifat, dhe se ka potencial për të ndikuar në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi.
“Kjo administratë ka aftësinë të shtyjë përpara arritjen e marrëveshjeve, siç ka treguar edhe më parë. Presidenti Trump është angazhuar në përpjekje për të ulur tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës dhe ka pretenduar se ka pasur sukses në këtë drejtim. Ai mund të ushtrojë presion për normalizimin e marrëdhënieve – një proces i vështirë, por që mund t’i pëlqejë atij”, deklaroi ai, transmeton Klankosova.tv.
The post Daniel Fried: Administrata Trump e frustruar me Kurtin, pezullimi i Dialogut Strategjik është vendim serioz appeared first on Klan Kosova.