Një incident i rëndë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në fshatin Lybeniq të Pejës, ku një person ka humbur jetën pasi ka rënë në një gropë gjatë punës për pastrimin e një bunari, pranë varrezave të fshatit.
Pas një operacioni të ndërlikuar që zgjati rreth 8 orë, është arritur të nxirret trupi i viktimës, Albert Pamaj, për të cilin Gazeta Sinjali ka raportuar.
Operacioni për shpëtimin dhe më pas nxjerrjen e trupit është koordinuar nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës në bashkëpunim me kompaninë e Kërkim-Shpëtimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, si dhe njësitet e Policisë së Kosovës, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente.
Sipas njoftimit të Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës (SHKSHMK), “viktima kishte rënë në pus gjatë punës për pastrimin e tij. Pusi ishte me thellësi të konsiderueshme dhe kishte praninë e gazrave të dëmshëm dhe mungesë oksigjeni, çka e bëri operacionin tepër të ndërlikuar dhe të rrezikshëm për ekipet shpëtuese”.
Nxjerrja e trupit u bë përmes pajisjeve të specializuara dhe përpjekjeve të koordinuara nga SHKSHMK dhe kompania e Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!