Bëri bujë të madhe mënyra se si Ballkani i mori 3 pikë në tavolinë për ndeshjen ndaj Feronikelit’74, e cila në fushë kishte përfunduar 1-1.
Por suharekasit përfituan nga kjo e drejtë rregulloreje, pasi futbollisti Lavdim Zumberi, rezultoi të mos ishte i regjistruar në sistemin ndërkombëtar TMS, si lojtar i ekipit nga Drenasi.
Kjo shkaktoi reagime të shumta në opinion, për faktin se i njejti futbollist, veçse kishte zhvilluar 10 ndeshje në edicionin 2024/25 të Superligës së Kosovës, njofton Klankosova.tv.
Por, Zumbi nuk doli i vetmi në eliten futbollistike të Kosovës, i cili nuk e ka të kompletuar transferin siç duhet në TMS.
Edhe më i rëndë është rasti i Yll Hoxhës.
Mbrojtësi i majtë i FC Suharekës, ka dhjetë vjet që endet nëpër ekipe të Kosovës e Shqipisë, por ai ende në TMS është i regjistruar si lojtar i Kukësit, skuadër kjo me të cilën nuk luan që nga 2015-ta.
Kjo u konfirmua edhe na drejtori i suharekasëve, Lulzim Kolgeci.
Për këtë shkak, në ndeshjen e fundit kundër Gjilanit, Hoxha nuk u paraqit fare, anise ka gati dy sezone që luan për Suharekën, raporton Klankosova.tv.
Pos kësaj, mbrëmë në emisionin “Favorit” në T7 është raportuar që Ilir Avdyli i Malishevës po ashtu nuk ka qenë në sistem i regjistruar si lojtar i këtij klubi, dhe ende figuron si lojtar i Feronikelit, e si i tillë luajti edhe në xhiron e fundit, që për koiçidencë pikërisht ndaj Ballkanit, i cili përfitoi javën e kaluar nga ky fenomen.
Malisheva e mundi në fushë kampionin në fuqi me rezultat 3-1, por se a janë ankuar në Avdylin, nuk është bërë e ditur.
Sipas Kanal 10, edhe vetë Ballkani ka një lojtar të regjistruar ende si futbollist i një skuadre tjetër.
Bleart Tolaj nuk u aktivizua në ndeshjen e fundit, as nuk ishte në protokoll, pikërisht për shkak se nuk ka qenë i regjistruar në TMS.
E gjithë kjo po ndodh në nivelin më të lartë të futbollit kosovar, teksa klubet e shtetit po garojnë edhe në arenën ndërkombëtare.
Kujtojmë se Bleart Tolaj realizoi dy gola të Ballkanit në ndeshjen vendimtare kualifikuese për UEFA Conference League, ku dy golat e tij ndaj Bate Borisov, e ndihmuan kampionin e Kosovës të hyjë në fazën e grupeve.
Çfarë do të ndodhte nëse bjellorusët do të ishin ankuar, kjo tash nuk dihet, por ajo që sot po ballafaqohet futbolli ynë shtetëror, lë shumë për të dëshiruar.
The post Dalin edhe futbollistë të tjerë të Superligës të paregjistruar në TMS? appeared first on Klan Kosova.