Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) rithkeson edhe njëherë shqetësimin lidhur me zhvillimet e fundit sa i përket menaxhimit të parkingjeve publike në Kryeqytet, ku përveç moszbatimit të vendimeve gjyqësore, Komuna e Prishtinës përmes një procedure të kundërligjshme po i obligon qytetarët me gjoba si shkak i mos pagesës së tarifës së parkingut nën kërcënimin për përmbarim.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se në aktgjykimin e datës 16 prill 2025, Gjykata Supreme e Kosovës, ndër të tjera, vlerësoi se kompetenca e Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking” Sh.A të vendos bllokada në vetura për shkak të mos pagesës së tarifës së parkingut, cenon drejtpërdrejtë parimet kushtetuese, si e drejta për pronë private dhe liria e lëvizjes.
“Lidhur me këtë, Gjykata ka referuar që për sigurimin e pagesës së tarifës së parkingut, Komuna përmes plotësimit dhe ndryshimit të Rregullores të përcaktojë procedurë të qartë administrative, me njoftim efektiv dhe mundësi reale ankimimi”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim, Komuna e Prishtinës përveç që injoroi inicimin e procedurës së plotësim/ndryshimit të Rregullores, në mënyrë krejtësisht të kundërligjshme, shumën e gjobës “për shkak të mospagesës së tarifës së parkingut” e ngriti nga 20 euro në 30 euro dhe vendosi për kompetencën e Drejtorisë së Inspekcionit përmes një njoftimi formal në ueb faqen e saj.
“Pa asnjë dyshim veprimet e ndërmarra nga ana e Komunës së Prishtinës nuk kanë asnjë bazë ligjore e për më tepër bien në kundërshtim edhe me vetë Rregulloren aktuale. Prandaj, referuar edhe Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, CSL kërkon nga ana e qytetarëve që të kryejnë pagesat për tarifat e shfrytëzimit të parkingjeve por rikujton se nuk kanë asnjë obligim ligjor as financiar lidhur me gjobat mandatore që po shqiptohen nga Drejtoria e Inspekcionit për mos pagesë të parkingut”.
Tutje bëhet e ditur se së fundmi, më datë 11 shtator 2025, CSL ka dërguar në Komunën e Prishtinës kërkesë për qasje në dokumente publike, përmes së cilës ka kërkuar vendimin/aktin normativ mbi të cilin është bazuar rritja e gjobës për mos pagesë të tarifës së parkingut dhe kompetenca e Drejtorisë së Inspekcionit për shqiptimin e tyre.
“Duke qenë se brenda afateve ligjore nuk kemi pranuar përgjigje nga ana e Komunës, CSL më datë 23 shtator 2025, ka dërguar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP)”.
Po ashtu në njoftim thuhet se CSL siguron qytetarët – shfrytëzuesit e parkingjeve publike në Kryeqytet që do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të kontestuar ligjshmërinë e veprimeve të fundit nga ana e Komunës së Prishtinës që cenojnë parimet kushtetuese dhe interesin publik.
“Në fund, CSL e kupton situatën e krijuar dhe vështirësitë në Ndërmarrjen Publike “Prishtina Parking”, por kjo situatë do të ishte e evitueshme nëse Kuvendi i Kryeqytetit me kohë do të plotësonte dhe ndryshonte Rregulloren sipas kërkesës që e kemi parashtruar në prill të vitit 2024”. /Telegrafi/