Jock Covey, ish-zëvendësi i Bernard Kouchner-it, ka dëshmuar sërish në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke folur këtë herë për krijimin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) dhe pozicionin e ndërkombëtarëve ndaj kësaj strukture.
Dëshmitari amerikan theksoi se Hashim Thaçi nuk kishte ndonjë rol në TMK në fazën e saj fillestare dhe se qëllimisht nuk i është dhënë as përshtypja se ai kishte ndonjë lidhje me të.
“Në atë kohë, Agim Çeku ishte komandant i TMK-së, teknikisht. TMK-ja ishte ende në krijim e sipër, dhe Çekut kur i bëra presion që të ndërmerrte disa veprime, ma rikujtoi që TMK-ja ishte në krijim e sipër. Në atë pikë, Thaçi nuk kishte asnjë lloj roli në TMK, dhe për këtë aktivitet nuk donim t’i jepnim aspak atij përshtypjen se ne besonim që kishte rol në lidhje me TKM-në”, tha Covey.
Ai shtoi gjithashtu se përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork kishin qenë shumë skeptikë dhe kundër formimit të TMK-së.
“Ky ishte një formalitet në vetvete ndonëse Nju Jorku priste që ne të përcillnim të njëjtën porosi të të dy udhëheqësve, por e kishim të qartë që Nju Jorku ishte shumë kundër TMK-së, ju desh shumë kohë atyre në Nju Jork që ky ishte një veprim me shumë mend, pra i zgjuar”, theksoi ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!