Covey: Nuk i kam dokumentuar krimet që pretendohet se janë kryer nga anëtarë të UÇK-së

news image

Dëshmitari James Peter Covey ka deklaruar se krimet që pretendohej të jenë kryer nga UÇK-ja nuk i ka dokumentuar personalisht. Megjithatë, ai tha se raportimet për ngjarje të tilla kriminale kanë qenë mjaft të përhapura.

Kjo deklaratë e tij erdhi pasi iu prezantua një libër i shkruar prej tij, në të cilin, sipas leximit të prokurores Vega Iodice, thuhej se: “Kur trupat e NATO-s filluan që të arrijnë në fund të qershorit 1999, rreth 100 civilë vriteshin çdo javë – kryesisht serbë. UÇK-ja i quante serbët që ishin të përfshirë në luftë dhe kolaboracionistë që ishin në mes grupeve etnike të tjera; veçanërisht romët dhe turqit, por edhe shqiptarët etnik që konsideroheshin thjesht si bashkëpunëtorë me pushtuesin serb”.

Sipas prokurores, në libër theksohej gjithashtu se ekstremistët e UÇK-së përdornin dhunë dhe terror për të dëbuar serbët jashtë Kosovës.

Dëshmitari pohoi se pjesa e parë e përshkrimit duhet të lidhet me pjesën e dytë, ku specifikohet se kjo situatë i referohej vetëm ekstremistëve të UÇK-së.

Tutje, atij iu prezantua edhe një dokument i Departamentit Amerikan të Shtetit për Malin e Zi dhe Serbinë, që lidhej me të drejtat e njeriut. Sipas prokurores, ky dokument ishte i vitit 1998 dhe ishte përgatitur në janar të vitit 1999.

Në dokument, sipas saj, thuhej se elementë të UÇK-së kishin kryer vrasje, ishin përgjegjës për zhdukje, kishin rrëmbyer dhe mbajtur në ndalim policë serbë, si dhe civilë serbë e shqiptarë që dyshoheshin si bashkëpunëtorë të Serbisë. Po ashtu, në raste të izoluara ata kishin gjykuar pa proces të rregullt ligjor, ndërsa përmendeshin edhe raporte për tortura.

Covey tha se nuk kishte dijeni për këtë dokument.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/