Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, ka folur për rolin historik të Britanisë në mbështetje të Kosovës, duke kujtuar momentet e vështira të luftës dhe solidaritetin që u tregua në ato kohë.
Në një konferencë të Laburistëve të mbajtur në Liverpool, Cooper tha se një flamur britanik në anën e një kamioni ushtarak kishte bërë diferencën mes jetës dhe vdekjes për shumë njerëz që përballeshin me masakra në Kosovë.
Duke kujtuar ndeshjen kualifikuese të vitit 2019 mes Kosovës dhe Anglisë, ajo përshkroi emocionet që përcolli mikpritja e tifozëve kosovarë.
“Kur filloi të luhej “God Save The Queen”, çdo tifoz kosovar ngriti lart flamurin anglez. Mes tyre ishte edhe një banderolë ku shkruhej: ‘Na dhatë shpresë për liri’. Ata valëvitën flamurin tonë me krenari, duartrokitën himnin tonë me ngrohtësi dhe kënduan emrin e Mbretëreshës sonë, sepse e kujtonin se si Britania kishte qëndruar pranë tyre. Kjo është ajo për të cilën përfaqëson vendi ynë në botë dhe kjo është ajo që duhet të vazhdojmë të jemi gjithmonë,” deklaroi Cooper.
Ajo theksoi se çdo njeri ka të drejtë të jetojë i lirë nga frika dhe kujtoi se pas luftës në Kosovë dhe krizës në Ballkan ishte shpresuar që Evropa nuk do të përballej më me luftëra.
Sipas saj, flamuri britanik është simbol i drejtësisë, ndershmërisë, tolerancës dhe dinjitetit.
Në fjalimin e saj, Sekretarja britanike ngriti edhe çështjen e mbrojtjes së grave dhe vajzave në konfliktet e sotme, duke përmendur Sudanin dhe Myanmarin.
“Tridhjetë vjet pas përdorimit të tmerrshëm të dhunës seksuale në Kosovë, duhet të sigurohemi që të ketë një mbrojtje më të fortë për gratë dhe vajzat në konfliktet aktuale. I paralajmërojmë të gjithë ata që janë përgjegjës për dhunën seksuale se një ditë do të përballen me drejtësinë, pavarësisht sa kohë do të duhet,” tha ajo.
Yvette Cooper u emërua Sekretare e Shtetit për Punët e Jashtme, Commonwealth dhe Zhvillim më 5 shtator 2025.
Ajo ka mbajtur më parë postin e Sekretares së Brendshme dhe është deputete e Parlamentit britanik që nga korriku 2024.